Rrëfehet motra që i vdiqën dy vëllezërit nga COVID-19

Familja Bucaliu nga Ferizaj brenda tri ditësh ka humbur dy djem, si pasojë e infektimit me virusin korona. Edhe pse nuk vuanin nga ndonjë sëmundje tjetër shoqëruese, Adnani 43 vjeç e Agroni 47, përkundër përpjekjeve të shumta, nuk arritën ta mposhtin virusin. Por, si shpërtheu virusi në këtë familje dhe cilat ishin momentet e fundit të të infektuarve, Valbona, motra e vëllezërve Bucaliu, rrëfen tërë ngjarjen për Gazetën Express. Ajo ka edhe një mesazh për ata që akoma nuk besojnë për koronavirusin.

Virusi i padukshëm u tregua i pamëshirshëm ndaj familjes nga Ferizaj, kur vëllai i vogël, Taulanti 27 vjeç, u infektua i pari në familje. Vëllai i vogël i Agronit dhe Adnanit ka qëndruar pesë ditë në Spitalin e Ferizajt nën mbikëqyrjen e këtij të fundit, pasi dyshohet se virusin e mori nga vendi i punës ku punon, në një lokal për dhënien e automjeteve me qira.

Si shpërtheu koronavirusi në familjen ferizajase?
Teksa rrëfehet për Gazetën Express, Valbona Bucaliu tregon se i dyti në familje që u infektua me virusin korona ishte Adnani, i cili fatkeqësisht nuk arriti ta mposhtë atë.

“Fillimi i rastit tragjik, ashtu siç erdhi fundi tragjik i COVID-it te vëllezërit e mi, është pikërisht para tri jave, kur vëllain e vogël, Taulantin 27 vjeç, e ka sulmuar të parin virusi korona. Ai e ka marrë virusin në punë, punon me një “rent a car”. Dyshohet se fluksi i mërgatës nga Zvicra që ka ardhë, ka bartë klientë nga aeroporti i Prishtinës në Ferizaj, Taulanti u prek i pari…Më pas Adnani ka qëndruar mbikëqyrës i Taulantit për pesë ditë në Spitalin e Ferizajt. Taulanti pas pesë ditësh shtrirë në spital dhe pesë në shtëpi ia ka dalë. Gjatë qëndrimit në spital, Adnani si mbikëqyrës i Taulantit i ka vërejtur shenjat e para, Adnani e ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë dhe i ka vërejtur simptomat e para dhe i ka bërë të gjitha analizat. Njëra prej analizave i ka rezultu e rritur, gjë që i ka dhënë dyshime se me trupin e tij diçka nuk është në rregull”, tha Valbona.

Ajo tha se ditën kur Adnani ka bërë analizat, me vete e kishte marrë nënën e tij dhe vëllain Agronin. Edhe pse qëndronte i shtrirë në spital dhe nën kujdesin e mjekëve, Valbona pohon se gjendja e Adnanit vinte duke u rënduar. “Adnani me terapi ka vazhdu dy ditë në një klinikë private në Ferizaj dhe në ditën e tretë ka fillu me iu keqësu gjendja. Në mëngjes e kemi çu në emergjencë të Ferizajt, aty përnjëherë e kanë vendos në oksigjen. Ka qëndru 48 orë në Ferizaj dhe e kanë transferu për në Intensivë Qendrore në Prishtinë, aty ka qëndru pesë ditë. Nuk ka pasë përmirësim të situatës, por vetëm ka ardhë situata duke u rëndu”, shtoi ajo.

Ndërkohë, gjendja shëndetësore po i keqësohej edhe Agronit.
“Tri orë para se me çu Adnanin në Intensivë, Agroni ka qenë në shtëpi me infuzion. Iu ka keqësu gjendja, e kemi çu në Spitalin e Ferizajt. E kanë vendosë në oksigjen, e kanë mbajt 24 orë aty, e kemi transferu në Pulmologji”, tha tutje Valbona për Gazetën Express.

“S’kanë pasur asnjë sëmundje, vetëm nga koronavirusi kanë vuajtur” Valbona thotë se fundi i jetës së vëllezërve të saj ka qenë virusi, sepse sa i përket mjekëve, familja nuk ka kurrfarë dyshimi. Agroni ka lënë pas vetes gruan dhe dy fëmijë. “Agroni e ka një djalë 13 vjeç dhe një vajzë 11, ndërsa Adnani ka qenë i pamartuar”, tha ajo.

Mesazhi i motrës që humbi dy vëllezërit nga koronavirusi
“Me sinqeritetin më të madh po e them, përballja dhe lufta me koronavirusin është e ngjashme sikur helmimet serbo-sllave të viteve ’90-’92. Është një kohë shumë e trishtë, por edhe është një nevojë e madhe që i duhet familjes në anën financiare. Nëse ka familje që kanë njerëz të prekur me virus dhe nuk i kanë kushtet, asaj familje duhet me i dalë në ndihmë sepse terapia është e kushtueshme dhe shpenzimet janë të mëdha.

Për trimat e Facebook-ut që thonë se nuk ka virus, atyre u them: veç ishalla Zoti nuk i sprovon. Virusi ekziston dhe është shumë i rëndë për personat që përballen me të, por edhe për familjen, se çdo ulje e tyre është rrëzim për neve. Uljet dhe ngritjet ndryshojnë brenda 2 minutave te ta”.
Momentet e fundit të Adnanit dhe Agronit

“Agroni është vëllai i madh. Ka qëndru motra e madhe në spital me të. Sikur e ka ditë që s’ka me mujt me ia dalë. Ka qenë shumë e rëndë. Me Adnanin ka qëndru vëllai, në momentin që e kemi çu në Intensivë s’kemi pasë kontakt. Mas 48 orësh në oksigjen ka hy në intubim. Në ditën që ka vdekë një pulmolog ia ka kry një intervenim kirurgjik. Kanë provu me bë heqjen e ajrit në mushkëri, por nuk ka mujt me përballu dhe mas 2 orëve luftë që kanë bërë mjekët me rikthy në jetë, nuk ka arritë me ia dalë…”

Në familjen e tyre e infektuar me koronavirus është nusja e Agronit, e cila fatmirësisht nuk ka simptoma të rënda. “Të pamen s’e kemi hapur, nusen e Agronit e kemi në karantinë nga dita e shtunë. Ka rezultuar pozitive. Gjendja e saj është stabile, nuk ka simptoma të rënda”, tha tutje Valbona. Tutje, Valbona tha se mjekët e kanë bërë të pamundurën për t’ia shpëtuar vëllezërit, teksa përmend se sa e vështirë është situata nëpër spitale, në këtë kohë të pandemisë.

“Mjekët po punojnë 24/7. Aty kush ka qenë, e sheh dhimbjen dhe vuajtjen e pacientit nga koronavirusi. Është një luftë pa armë”, përfundoi ajo. Për vdekjen e dy vëllezërve ka shkruar edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili tha se ndarja e tyre nga jeta ka tronditur vendin. “Ata kaluan në amshim në moshë të re, shumë pak ditë nga njëri-tjetri, për t’u bashkuar përgjithmonë në amshim, e për ta mbajtur të bashkuar fort kujtimin e tyre nga familja e shoqëria”, ka shkruar ndër të tjera Aliu.

Vala e dytë e koronavirusit ka goditur edhe vendin tonë. Vetëm brenda 24 orëve të fundit janë konfirmuar edhe 627 raste të reja pozitive me COVID-19, ndërsa 22 persona kanë humbur betejën me virusin që ka origjinë nga Kina. Po ashtu, IKSHPK-ja njofton se në 24 orët e fundit nga koronavirusi janë shëruar edhe 543 persona. Me këtë shifër numri i të shëruarve deri më sot është gjithsej 26.453 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.784. IKSHPK-ja ka bërë të ditur se që nga fillimi i pandemisë, në vendin tonë numri total i rasteve pozitive është 41.299, nga 148.213 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, dhe 1.062 raste të vdekjes.