Një mësuese që ishte detyruar të jepte mësim në kampet e internimit në Zinjiang të Kinës ka thënë se ajo është sterilizuar me detyrim si pjesë e fushatës së qeverisë kineze për uljen e numrit të lindjeve nga gratë e pakicës myslimane.
Mësuesja e quajtur Qelbinur Sidik tha se pjesë e shtypjes nuk janë vetëm gratë që janë në moshën më të përshtatshme për të mbetur shtatzëna, por edhe ato që ishin shumë përtej kësaj moshe. Sipas mesazheve që kishte marrë nga autoritetet lokale, ajo tha se gratë e moshës nga 19 deri 59-vjeçare duhet të kenë pajisje intrauterinare në trup ose t’i nënshtrohen sterilizimit, shkruan The Guardian.
Në vitin 2017, zonja Sidik ishte 47-vjeçare dhe vajza e saj e vetme ishte studente në universitet, kur autoritetet lokale kishin këmbëngulur se gruaja duhet të vendosë pajisje të ashtuquajtur IUD për ta parandaluar shtatzëninë e mundshme. Vetëm pak më shumë se dy vjet më vonë, ajo u detyrua t’i nënshtrohet sterilizimit.
Ajo ia tregoi mesazhin e autoriteteve lokale gazetës The Guardian. Në këtë mesazh shkruhet: “Nëse ndodh diçka, kush do të marrë përgjegjësi për ty? Mos luaj me jetën tënde, as mos provo. Këto gjëra nuk kanë të bëjnë vetëm me ty. Ti duhet të mendosh për anëtarët e familjes tënde dhe të afërmit përreth teje. Nëse lufton me ne në derën tënde dhe refuzon të bashkëpunosh me ne, ti do të shkosh në stacion policor dhe do të ulesh në karrigen e metaltë”.
Sidik tha se në ditën kur i ishte caktuar kontrolli te mjeku, në spital nuk kishte gra të përkatësisë etnike kineze duke pritur në radhë për kontrollin e detyrueshëm.