Rrëfehet Don Lush Gjergji, si shpëtoi pa u prekur nga koronavirusi pasi familjarët e tij u infektuan


Vikari gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji, ka folur për herë të parë pasi që familjarë të tij është bërë e ditur se kanë dalë pozitiv pas analizave, si të prekur me virusin korona.

Ai ka dhënë detaje për gjendjen e familjarëve të tij si dhe se si është ndier, derisa vetë po priste që të merrte rezultatin për të ditur nëse është prekur nga virusi

“Ky virus, për mendimin dhe vlerësimin tim, e ka “zhveshur” shoqërinë tonë bashkëkohore nga ndjenja e “prepotencës” dhe arrogancës, nga besëtytnitë që njeriu i sotëm di dhe mund shumëçka, mos të them gjithçka, duke paraqitur brishtësinë e teknikës, teknologjisë, shkencës, mjekësisë, fundi i fundit të vetë njeriut”.

“Ndoshta, kjo na bën mirë të gjithëve dhe është një mësim dhe qortim i rëndë, por edhe i domosdoshëm. Mësimi është ky: jemi një familje e madhe botërore, të varur, së pari prej Zotit, pastaj prej njëri-tjetrit”, ka thënë ai.

Intervista e plotë:

Çfarë ka ndodhur me familjen tuaj, si u infektuan?

Një pjesë e familjes time, si dhe shumë familje shqiptare nga Kosova, por edhe nga viset e ndryshme shqiptare, janë në punë dhe në jetë në botën e jashtme. Familjarët e mi janë vite të tëra kryesisht në Bergamo dhe në rrethinë. Atje tashmë janë ambientuar si në jetë, ashtu edhe në punë, edhe pse ëndrrat dhe zemra e tyre është gjithnjë në Kosovë. Ata, si dhe të tjerë, me një anë nuk pajtohen me këtë realitet të ri, por hetojnë dhe konstatojnë që tash për tash zgjidhje tjetër nuk ka. Gjithnjë më thonë: na mbyti pagjumësia dhe malli! Tash janë të rrezikuar edhe nga koronavirusi më së tepërmi atje. Për t’i ikur kësaj vatre tejet të rrezikshme të infektimeve, por edhe për t’u shmall dhe pushuar në vendlindje, me pranverë shumë “dallëndyshe” kthehen në çerdhet e tyre stërgjyshore. Kështu bëri edhe vëllai im Mihilli, me gruan e tij, Dranën, erdhën në Kosovë me fluturim Verona – Prishtina, më 5 mars 2020.

Çdo gjë ishte rregull me kontrollime mjekësore, si në Verona, po ashtu edhe në Prishtinë. Si duket, së paku kështu thonë ekspertët, virusi ishte në fazën e inkubacionit, dhe pasi një javë dite, ishte tejet agresiv dhe aktiv. Vëllai pati kollitje, shtrëngim në gjoks, plogështi. Pas kontrollimeve fillestare, “amatoreske” në Viti dhe në Gjilani, pa fajin e tyre, qe dërguar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Prishtinë, ku gjendet edhe tash, së bashku me të birin Robertin, dhe me shoqen e tij, Suzanën, në terapi. Mjekët thojnë se gjendja e tyre tash për tash është stabile. Lusim Zotin jo vetëm për familjarët e mi, por edhe për të gjitha ata që janë të kërcënuar dhe të rrezikuar nga kjo sëmundje ngjitëse, e cila, fatkeqësisht na ka gjetur neve, por edhe mbarë botën, të papërgatitur. Bota po e paguna ndoshta tepër shtrenjtë vetëbesimin e tepruar, nënçmimin e këtij rreziku, mos të them prepotencën dhe arrogancën…

Si jeni ju vetë?

Unë të dielën e kaluar, më 8 mars 2020, isha në Stubëll, në vendlindje, dhe si çdo herë u shmalla dhe u kënaqa me takime, Meshë dhe shumë çka tjetër. Kuptohet, me vëllain Mihillin, si dhe me familjen e tij në Kosovë, patëm edhe darkën, së bashku me famullitarin e vendit, Don Jeton Thaqin. Të ejtën e kaluar, më 12 mars, kuptova që im vëlla Mihilli, ishte hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Prishtinë. Fill, për përgjegjësi ndaj vetes, edhe më shumë ndaj bashkëpunëtorëve, por edhe publikut, iu nënshtrova testimit të premten në mbrëmje, 13 mars 2020, diku rreth orës 19. 00.

Çfarë shenjash kishin familjarët tuaj?

Temperaturë, plogështi, kollitje, shtrëngim në fyt dhe në gjoks, shenja karateristike të këtij virusi, si duket, mjaft agresiv dhe për disa, sidomos për të moshuar dhe njerëz me sëmundje kronike, edhe i rrezikshëm.Si ndiheshit ndërkohë që prisnit rezultatin e analizës?Eh, ta them të vërtetën, të “rrëfehem” botërisht, pritja edhe për mua ishte mjaft e gjatë dhe jo e lehtë, diku 24 orë, edhe pse më kishin thënë që do të bëhej më shpejtë. E kuptoj “vonesën”, nëse kështu mund të them, sepse tashmë “Kosova”, sidomos vendlindja ime, Stublla, por edhe Klina, janë vatra e kësaj sëmundjeje ngjitëse. Ditën e kalova në uratë, aty-këtu shkrim dhe lexim, në pritje të “gjatë”, por gjithsesi me fe dhe shpresë…

Çfarë këshille do t’u jepnit njerëzve ne Kosove dhe kudo tjetër?

Së pari të jemi sa më të përgjegjshëm për shëndetin tonë, si dhe të të afërmve, familjarëve tanë, dhe t’iu përmbahemi përpikërisht udhëzimeve nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Ndoshta kemi harruar tashmë të jetojmë së bashku në rrethin apo ambientin familjar, duke jetuar dhe punuar me një lloj “vrapimi” dhe frenezie që po na merr “frymën”, shpirtin, vlerat tona tradicionale, përkujdesjen për fëmijë dhe për pleq dhe plaka. Më kujtohen dy thëne tejet të qëlluara, tash edhe shumë aktuale: “Mjerë ajo shtëpi së s’ka pleq dhe fëmijë” dhe “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë”, vlera këto që na kanë mbajtur nëpër shekuj dhe e kanë ruajtur vitalitein tonë. Është bllokuar thuaj gjithçka, shkolla, puna, udhëtimi, prodhimi, një botë e mbështetur vetëm në materializëm, konsumizëm, hedonizëm, relativizëm dhe ateizëm praktik, është në rrezik dhe çrregullim të tërësishëm…

Ky virus, për mendimin dhe vlerësimin tim, e ka “zhveshur” shoqërinë tonë bashkëkohore nga ndjenja e “prepotencës” dhe arrogancës, nga besëtytnitë që njeriu i sotëm, di dhe mund shumëçka, mos të them gjithçka, duke paraqitur brishtësinë e teknikës, teknologjisë, shkencës, mjekësisë, fundi i fundit të vetë njeriut.Ndoshta, kjo na bënë mirë të gjithëve, dhe është një mësim dhe qortim i rëndë, por edhe i domosdoshëm. Mësimi është ky: jemi një familje e madhe botërore, të varur, së pari prej Zotit, pastaj prej njëri-tjetrit. Virusi nuk njeh kufij, “viza Shengen”, ndalime, kontrollime…Sa bukur do të ishte që bota jonë të jetë e tillë, me përgjegjësi, liri, paqe, demokraci, vëllazëri, e mbështetur me vlera dhe virtyte gjithënjerëzore dhe të krishtera. Lusim Zotin dhe shpresojmë për një botë më të mirë, më njerëzore, jo vetëm ekonomike, komerciale, ku paraja mbiçmohet, jemi të robëruar nga “zoti – para”, ndërsa Zoti dhe njeriu nënçmohet dhe anashkalohet… Populli thotë mirë: çdo e keqe sjell ndonjë të mirë!

A duhet të na shërbejë kjo pandemi për të qenë me njerëzor, t’u kthehemi vlerave dhe të duam me shumë jetën dhe njeri-tjetrin?

Kjo do të ishte edhe porosia më e bukur, mirësi, afërsi, bujari, vëllazëri me çdo njeri, sepse jeta është tepër e shkurtë, dhe ne atë nuk mund ta jetojmë sido, me egoizëm, egocentrizëm, bajraktarizëm, “partitizëm”, me ndarje dhe përçarje të pakuptimta dhe vetëvrasëse dhe vëllavrasëse…T’i kthehemi vetvetes dhe të Vërtetës, kjo është ftesa ime për çdo shqiptarë apo shqiptare, por edhe më gjerë, sepse “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”, “Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën” dhe “veprat e dashursië janë vepra të paqes” do të na porosiste Shën Nëna jonë Tereze.Besojmë, shpresojmë dhe dashurojmë Zotin, njëri-tjetrin, në krijimin e kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë.

Veçanërisht a duhet të kemi me shumë kujdes për të moshuarit? Dhe një sistem më të mirë shëndetësor?

Sistemi shëndetësore në nivelin global, evropian dhe botëror, është treguar shumë I dobët, pa ndonjë përgatitje të mirëfilltë njerëzore dhe profesionale, pa struktura adekuate… E te ne, e dimë që është edhe më keq. Na ruajt Zoti prej çdo të keqeje dhe rreziku!Të vdekurve nga koronavirusi, ta gëzojnë pushim e pasosur, të sëmurëve shërim sa më të shpejtë dhe të mirë, atyre që janë për ngushëllime, së pari Zoti i ngushëlloftë, pastaj afërsia dhe pjesëmarrja jonë dhe e tjerëve, në këto dhembje dhe pikëllime, u qoftë mbështetje dhe përkrahje!/drita.info