Rrahje brutale në lokalin ‘Barbon’ në Prizren: Punëtori i sigurimit sulmon dy vajza, njërës ia thyen hundën

Përleshjet brutale në lokale e kafeteri të ndryshme në vendin tonë janë mjaft të shpeshta. Kjo po ngrit shqetësim dhe po alarmon qytetarët që frekuentojnë hapësira të tilla, për sigurinë që ofrojnë. Në shumë prej këtyre rasteve, ata që janë të thirrur për siguri del të jenë personat që shkaktojnë sherre. Kështu ka ndodhur edhe të shtunën mbrëma në lokalin “Barbon” të Prizrenit. Gazeta ka mësuar detaje nga rrahja brutale e dy vajzave dhe arrestimi i punëtorit të sigurimit të këtij lokali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy vajza janë sulmuar brutalisht nga punëtori i sigurimit, Ilirjan Bytyqi, i cili është arrestuar dhe tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor. Gjithçka dyshohet se ndodhi rreth orës 22:00, në lokalin Barbon, ku dy vajzat, njëra prej të cilave është përfshirë në përleshje, kanë pasur një mosmarrëveshje me punëtorin e dyshuar, konflikt ky që eskaloi në sulm fizik dhe për pasojë njëra prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Siç mësojnë mediat nga të njëjtat burime, njëra nga vajzat e dyshuara e ka goditur me gotë punëtorin e sigurimit me të cilin u kapën, i cili pa një pa dy iu kthye me sulm, duke i goditur aq keq, deri në atë pikë sa njërën prej tyre e ka tërhequr zvarrë nëpër lokal.

Si pasojë e goditjeve dhe rrahjes brutale, viktima ka pësuar frakturë në hundë, për çka është dërguar me urgjencë në Spitalin e Prizrenit për të marrë trajtim mjekësor. Në anën tjetër, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë prangosur punëtorin e dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion policor.

Pas mbledhjes së informacioneve të para në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”. Ndaj tij, pritet të parashtrohet edhe kallëzim penal brenda afatit ligjor, teksa edhe Prokuroria do të ndërmarrë veprimet e nevojshme. Gazeta ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga lokali në fjalë, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Botapress.info/