Pronarët e agjencisë Royal Travel hedhin poshtë pretendimet se kanë lidhje me agjencinë Besa Trans dhe pronarin Bekim Haxhiu Sipas tyre, pretendimet për lidhje me bashkëfshatarin e tyre Haxhiu janë spekulime pasi nuk kanë asnjë kontakt apo bashkëpunim me të.
Pas themelimit të agjencisë Royal Travel në dhjetor të vitit të kaluar, pronarët blenë furgonët e përdorur nga Besa Trans, të cilët aktualisht transportojnë udhëtar dhe janë në proces brendimi.
E njëjta gjë vlen edhe për kompaninë “Aldi Trans” me të cilën gjithashtu transportojnë udhëtar dhe për të cilën sqaruan se është filial i “Royal Travel” dhe nuk ka asnjë lidhje me Haxhiun apo “Besa Trans”.
Përndryshe, ditë më parë u raportua se“Besa Trans Preshevë”, organizonte udhëtime për Krishtlindjet në Stamboll, për qytetarët e RMV-së. Faqja e njëjtë disa ditë pas raportimeve neë media u zhduk nga rrjeti social “Facebook”. Kjo ka ndodhur pasi TV Telma e përditësoi temën dhe lidhjen e mundshme me “Besa Trans” nga Shkupi, në autobusin e së cilës 45 udhëtarë vdiqën gjatë aksidentit në Bullgari.
“Besa Trans e Preshevës”, e cila nuk ishte në regjistrin qendror të Serbisë, ofronte udhëtime për vetëm 79 euro nga 6 janar deri më 13 janar në Stamboll. I dyshimtë ishte fakti se nisja është bërë edhe nga Shkupi, Tetova dhe Gostivari ndërsa qytetarët kanë paguar pak para nisjes.
Përndryshe, në aksidentin tragjik të autostradës “Struma” në Bullgari që ndodhi më 23 nëntor ndërruan jetë 45 persona, prej të cilëve 12 fëmijë, ndërsa shtatë u lënduan. Ata po ktheheshin nga udhëtimi turistik në Turqi.