Pasi nuk arriti të kualifikohet për Botërorin 2018 në Rusi, Italia konfirmoi, në dukje, rënien e këtij sporti në vendin e tyre.
E lënë prapa nga pasuria e Premier Ligës angleze dhe nga talentet e La Ligas së Spanjës, Seria A e Italisë ka marrë reputacionin e vendit që krijon talente për t’i shitur, por që nuk tërheq më yjet më të mirë e më të mëdhenj në galaksinë e futbollit.
Megjithatë, teksa bota shihte 32 vendet që luftonin për kupën në Rusi, Italia nuk e la veten të harrohet, por zuri faqet e para të gazetave. Seria A po përgatitet të rikthehet në formë.
Pas kësaj nisi dhe vazhdoi deliri për Kristiano Ronaldon.
Pse në Itali?
Kur dolën fjalët e para për një marrëveshje të mundshme, pak ishin ata që e besuan. Menduan se Ronaldoja thjesht po bënte “numrat” e zakonshëm verorë me Realin e Madridit, me synimin për të fituar më shumë mbështetje, dashuri e parà nga punëdhënësit.
Por dhe nëse kishte ndërmend të largohej, asnjeri nuk mendonte që do të shkonte në Itali.
Juventusi, ekip që njihet për aftësinë e nuhatjes së bizneseve të mira, vendosi të dalë jashtë skenari e të bëjë blerjen më të shtrenjtë në historinë e Series A.
Agjenti Jorge Mendes në fillim dha të kuptohet se një marrëveshje do të ishte e mundshme, pasi u takua me klubin për marrjen e Joao Cancelos nga Valencia, në Qershor, për rreth 40 milionë euro.
Pasi nuk la gur pa lëvizur, Juventusi arriti të gjejë 105 milionë euro për t’ia dhënë Real Madridit e për të marrë 34-vjeçarin legjendar në Torino. Pasi vendosën më pas të paguajnë 30 milionë euro në vit, pas taksave (rreth 60 milionë në total), marrëveshja u krye.
“Zonja e Vjetër” e mori zotërinë, dhe për të parën herë mori mbështetjen dhe respektin e rivalëve në shtëpi.
Ardhja e fituesit të Topit të Artë në Serinë A është befasuese jo vetëm për Juventusin, por për të gjithë futbollin italian, pasi mund të ndihmojë të ringrihet disi reputacioni.
Por pse në Itali?
Karriera e Ronaldos, në fakt, është që duhej të kishte lindur në Itali. Por duket se aty do të mbarojë.
Në vitin 2003, ish menaxheri i Juventusit, Luciano Moggi, u duk se kishte lidhur marrëveshje me Sportingun e Lisbonës për blerjen e lojtarit të tyre më të ri e të talentuar.
Pjesë e kësaj marrëveshjeje ishte që Marcelo Salas i Juve-s të kalonte në anën tjetër, por pasi vizitoi Lisbonën, kiliani e refuzoi transfertën, duke e detyruar Juventusin të hiqte dorë nga ylli i ri portugez. Ronaldoja shkoi me Manchester United dhe më pas ndodhi historia që njohim.
Juventusi ka mbetur një klub i veçantë për zemrën e Ronaldos, dhe ai e pranoi këtë më herët, gjatë këtij, viti, duke thënë: “E kam dashur gjithnjë Juventusin, që fëmijë. Më pëlqente t’i shihja në ndeshje.”
Lionel Messi i Barcelonës mund t’i qëndrojë besnik klubit deri në fund të karrierës. Megjithatë, Ronaldoja beson se asgjë nuk do ta linte më mirë gjurmën e tij në botën e futbollit se mbizotërimi në tri shtete të ndryshme, dhe, mundësisht, fitorja e çmimeve.
Një gjë që i ka shpëtuar Juventusit, është finalizimi i suksesit të vazhdueshëm në Champions League. Ata kanë dalë nëntë herë në finale dhe e kanë fituar vetëm dy herë.
Nëse ka lojtar që di ta fitojë një finale, ai është Ronaldoja.
Pasi i ka dhënë Realit të Madridit tre kupa të Champions League rresht, ai e di që nëse arrin ta ndihmojë Juventusin të ketë sukses, pas pesë dështimeve, ka për t’u quajtur një perëndi, duke vulosur gjurmën dhe reputacionin si personi që bën ndryshimin.
“Më shumë se thjesht parà dhe trofè”
Gjithashtu, është më shumë se thjesht parà dhe trofè. Në Serinë A, mosha nuk ka rëndësi.
Francesko Toti e la më në fund futbollin në moshën 40 vjeçare. Barzagli i Juves sapo e shtyu afatin e kontratës me klubin, edhe pse është 37 vjeç. Buffon vazhdon të luajë fort, në moshën 40 vjeçare, dhe konfirmoi lëvizjen te PSG.
Siç komentoi Patrice Evra: “S’kam folur me Kristianon për këtë, por këshilla ime është që nëse do të luajë deri në vitin 2050, duhet të shkojë te Juventusi”.
“Falënderoj Juven, sepse nëse vazhdova të fitoj pas Mançesterit, ishte edhe falë tyre. Juventusi mund ta ndihmojë Ronaldon të garantojë pjesëmarrjen edhe në botërorin tjetër”.
Ndërkohë që mediat italiane e kanë quajtur “kontrata e shekullit”, disa e shohin edhe si diçka të tepruar.
Gazetari Juan Ignacio Garcia-Ochoa i “Marca” e ka vënë në dyshim vendimin e Juves për të marrë një lojtar në vitet e fundit të karrierës, e që ka humbur shtatë ndeshje të kampionatit spanjoll dhe gjashtë të Kupës së Mbretit, vetëm që të ruante formën.
Ronaldoja do t’i kushtojë Juves rreth 96 milionë euro në vit, një shifër që është sa një e katërta e të ardhurave vjetore të Juves.
Kompania “Fiat” mendohet se do të ndihmojë me kontratën, dhe Ronaldo do të jetë një përfaqësues botëror i Ferrarit.
Kjo do të prodhojë jo vetëm fondet që nevojiten për rrogën, por do të bashkojë disa elemente të ndryshme të perandorisë së bizneseve të familjes Agnelli.
A janë para të shpenzuara mirë?
Shumë veta nuk kanë vënë re që Ronaldoja do të ndikojë për mirë jo vetëm në sport, por edhe në financa, edhe pse fillimisht do të kushtojë shtrenjtë.
Juventusi është një nga klubet më të mëdha në botë, i njohur për arritjet e shpeshta në finalet e Champions League, një ekip në të cilin kanë luajtur shumë kampionë. Megjithatë, të ardhurat e tyre nuk krahasohen me ekipet e tjera të mëdha.
Marka e tyre është ende e vogël. Deri në vitin 2015, të ardhurat nga reklamat ishin më pak se të ardhurat e Schalke në Gjermani, një ekip që luhatet vazhdimisht mes katër skuadrave më të mira të Bundesligës.
Edhe pse punon fort për të krijuar emrin e markës, Juventusi nuk fiton nga reklamat aq sa Interi.
Interi mblodhi 130 milionë Euro në vitin 2017, pas blerjes së klubit nga Suning. Juventusi, ndërkohë, fitues i Seria A dhe dy herë finalistë të Champions League në vitet e fundit, kanë mbledhur vetëm 114 milionë euro, sipas raportit për 2018 nga Deloitte’s Money League.
Juventusi duhet të shtojë të ardhurat dhe klubi shpreson që fati i tyre të ndryshojë me ardhjen e Ronaldos.
Madje, ndryshimin e bëri që para se të konfirmohej transferimi. Çmimi i aksioneve të Juves u rrit me 33% javën e shkuar, në një kohë kur kompanitë më të mëdha italiane, përfshirë Exor-in e familjes Agnelli, po pësonin një rënie në treg.