Rohani premton “rezistencë” ndaj sanksioneve të SHBA-së


Presidenti iranian, Hassan Rohani thotë se Shtetet e Bashkuara janë “më shumë e më shumë të izoluara” në çështjen e sanksioneve ndaj shtetit të tij.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Rohani tha sot se Irani ka zgjedhur rrugën e “këmbënguljes dhe rezistencës”.

Në muajin maj, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, në mes të Iranit dhe fuqive botërore. Kjo marrëveshje i mundësonte Iranit lehtësim të sanksioneve, në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

Trump ka rivendosur sanksionet ekonomike, duke ndaluar shumë kompani ndërkombtare që të bëjnë biznes me Teheranin.

“Logjika ilegale e Shteteve të Bashkuara nuk mbështetet nga asnjë organizatë ndërkombëtare”, tha Rohani.

Pavarësisht sanksioneve amerikane, Rohani tha se Irani vazhdon të zhvillojë raporte ekonomike në mbarë botën.

“Ne kemi shpresë që trendi i bashkëpunimit ekonomik me botën do të vazhdojë si më parë”, tha ai.

Vendimi i SHBA-së për t’u tërhequr nga marrëveshja dhe për të rivendosur sanksionet ka goditur rëndë ekonominë iraniane, teksa shumë firma ndërkombëtare janë larguar nga Irani. Valuta e Iranit, riali, ka humbur pothuajse gjysmën e vlerës ndaj dollarit amerikan në nëntë muajt e fundit.