RMV – Viti shkollor nis me ose pa masa Anti-Covid?

Mësimi nga viti i ri akademik 2022/2023 do të zhvillohet në shkolla të hapura dhe pa protokolle anti-covid dhe detyrim për mbajtjen e maskave mbrojtëse.

“Për momentin nuk parashikohen masa parandaluese shtesë, përveç atyre që janë aktuale dhe në fuqi – për spitalet, transportin publik, farmacitë dhe shtëpitë e të moshuarve. Konkretisht për shkollat, për momentin nuk ka”, tha për AIM-n Zllate Mehmedoviq, zëdhënës i Komisionit për Sëmundje Infektive.

Viti shkollor do të nisë pasnesër për rreth 255 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Për nxënësit e klasave të dyta dhe të pesta ka planprograme të reja sipas Konceptit të Arsimit Bazë, i cili zbatohet me faza që nga viti i kaluar.

Për këta nxënës, si dhe për ata të klasave të para dhe të katërta, tekstet do të vonohen për shkak të ndryshimit të planprogrameve të cilat janë në faza të ndryshme miratimi.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi se për të ruajtur vazhdimësinë, së bashku me Byronë për Zhvillimin e Arsimit, ka përgatitur materialet e duhura mësimore për këta nxënës nga të cilat do të mësojnë në fillim të vitit shkollor.

Për klasat e tjera, për të cilat zbatohen kurrikulat e vjetra, si dhe për arsimin e mesëm, tekstet do të dorëzohen në kohë. Tekstet nga klasat e katërta dhe të larta do të jenë të disponueshme në formatin digjital në portalin e-ucebnici.mon.gov.mk, përveç atyre të shtypura.