RMV: Prindërve që kanë fëmijë fillorist, sot iu takon ditë e lirë nga puna

Për prindërit që janë të punësuar në sektorin publik dhe kanë fëmijët e tyre në klasë të parë dhe sot janë filloristë, ligji parashikon të drejtën e një dite pushimi.

Në bazë të nenit 28 të Kontratës së Përgjithshme Kolektive për Sektorin Publik për punonjës në Maqedoninë e Veriut, punonjësi ka të drejtën e një dite pushimi me pagesë për ditën e parë të shkollës së fëmijës së tij.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale sqaron se ky pushim, në përputhje me kontratën kolektive, si dhe të gjitha rastet e tjera të pushimit me pagesë për shkak të rrethanave personale dhe familjare, realizohet pavarësisht nga kërkesat e procesit të punës dhe përdoret në ditën kur fëmijët e tyre nisin klasën e parë.

Të punësuarit në sektorin privat mund ta ushtrojnë këtë të drejtë vetëm me marrëveshje paraprake nga pronari, pra personi përgjegjës në ndërmarrjen ku ata punojnë.

Kujtojmë se sot ka filluar viti i ri shkollor në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të vendit.