RMV, pandemia e virusit korona e ka goditur tërë sektorin e zejtarisë

Kryetari i Odës së Zejtarëve – Shkup, Nikolla Petrov, i bëri thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të gjendet mënyrë për mbështetje financiare për artizanët, duke theksuar se pandemia e koronavirusit ka goditur tërë sektorin e zejtarisë, raporton Anaodlu Agency (AA).

“Pandemia e koronavirusit ka goditur tërë sektorin e zejtarisë. Tërë sektori është në krizë për shkak se nuk ka kërkesa për prodhimet dhe shërbimet artizanale. Zejtaria është sektor ku funksionojnë bizneset familjare dhe ekzistenca e familjeve të plota të artizanëve dhe të familjeve të të punësuarve në sektorin e zejtarisë vihen në pikëpyetje”, theksoi Petrov në një konferencë shtypi.

Sipas Petrovit në masat e deritanishme që janë marrë nga ana e Qeverisë, artizanët nuk janë përfshirë me asnjë masë.

Siç potencoi ai, problem paraqitet tek artizanët si ushtrues të vetëm të veprimtarisë për shkak se nuk kanë për detyrë të paguajnë rrogën për vete, por të paguajnë kontribute. Ai shtoi se “nëse miratohet masa për subvencionimin e rrogave, ndërsa detyrimi për pagesën e kontributeve derisa zgjat pandemia të bie mbi punëdhënësin, artizanët nuk do të përfshihen me masat.”

Prandaj, siç informoi Petrov, Oda e zejtarëve te Qeveria ka dorëzuar propozim masa anti-krizë për artizanët.

“Në masën për subvencionimin e rrogave dhe kontributeve të parashihen edhe artizanët gjatë periudhës së krizës, në të kundërtën ekziston mundësia e mbylljes së bizneseve dhe largimin e të punësuarve”, tha Petrov.

Ai theksoi se të gjitha masat të cilat do të miratohen për bizneset nevojitet të jenë të mirëfillta që të aplikojnë edhe artizanët.

“Zejtaria do të jetë buzë shkatërrimit pas kësaj krize. Tani është momenti kur Qeveria duhet t’i ndihmojë sektorit sepse pa ndihmë financiare shumë biznese nuk do ta durojnë këtë krizë”, theksoi Petrov.

Sipas të dhënave të Odës së zejtarëve, në këtë sektor janë të regjistruar artizanë që funksionojnë si persona vetëpunësuar dhe artizanë që kanë punëtorë. Bëhet fjalë për rreth 5.800 artizanë dhe rreth 3.800 të punësuar në sektorin e zejtarisë.

Rikujtojmë se nga 22 marsi, me vendim të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në mbarë vendin është vendosur orë policore prej ora 21:00 deri ora 05:00 e mëngjesit. Po ashtu në ditët e fundjavës, të shtunën dhe të dielën, është e ndaluar lëvizja e popullatës nga ora 16:00 deri në ora 05:00 e mëngjesit.

Në vend deri tani, nga koronavirusi janë të infektuar 259 persona, ndërsa 6 kanë vdekur.