RMV – Omicron dyfishon infektimet për një javë, këto janë grupmoshat më të prekura

Për një javë dyfishohet numri i të prekurve nga virusi korona. Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë janë diagnostikuar 51% më shumë raste krahasuar me javën e kaluar. Në laboratorin e virologjisë të ISHP-së, në javën e dytë të janarit janë analizuar gjithsej 152 mostra pozitive të SARS-CoV-2 dhe në 104 prej tyre (68%) është detektuar varianti Omicron.

“Në periudhën njëjavore, nga data 3 deri më 9 janar, janë raportuar 946 ri infeksione, me një rritje për 7 herë krahasuar me një javë më parë. Grup moshat më të zakonshme janë 30-39 (27%), 20-29 (24%) dhe 40-49 (17%). Numri më i ulët është regjistruar në grup moshën 0-9 (2%). Rritja më e madhe e pacientëve është në grup moshën 20-29 vjeç si dhe në grup moshën 30-39 vjeç”, thonë nga MSH.

Varianti Omicron është zbuluar në 12 qytete: Shkup – 48, Ohër – 27, Koçan – 7, Tetovë – 6, Veles – 5, Pehçevë, Shtip, Gjevgjeli e Kavadar nga 2 dhe Vinicë, Negotinë, Manastir nga 1 të infektuar. Sipas raportimeve nga spitalet, aktualisht në të gjithë vendin janë të shtruar 351 persona, 41% më shumë krahasuar me javën e kaluar.

Kjo situatë e rënduar epidemiologjike ka futur vendin në listën me rrezik të lartë për përhapje të virusit korona. Nga e mërkura shtetasit tanë për të udhëtuar në Bullgari do të jenë të detyruar të kenë PCR-test negativ jo më të vjetër se 72 orë, pavarësisht vaksinimit.

“Autoritetet bullgare do të kërkojnë një test negativ PCR për fëmijët mbi 12 vjeç dhe jo më të vjetër se 72 orë, përndryshe nëse nuk kanë një dokument të tillë, ata i nënshtrohen karantinës 10 ditore. Kjo masë nuk vlen për fëmijët nën 12 vjeç”, thonë nga Qeveria Bullgare.

Gjithashtu nga e diela, vendi ynë është sërish zonë me rrezik të lartë për Covid-19. Nga Ambasada e Gjermane në Shkup përditësuan rregullat e reja dhe duke filluar nga data 16 Janar të gjithë personat para udhëtimit duhet të regjistrohen në portalin hyrës të Republikës Federale të Gjermanisë dhe të kenë me vete certifikatën për kontroll nga transportuesi ose Policia Federale. Përveç kësaj, të gjithë udhëtarët janë të detyruar të shkojnë drejtpërdrejt në akomodimin e synuar, menjëherë pas hyrjes në vend, dhe të qëndrojnë në karantinë 10 ditë.