RMV, një e treta e të rinjve konsumojnë kanabis, një e katërta përdorin kokainë


Gjysma e 119 të rinjve të anketuar në Maqedoninë e Veriut të moshës prej 18 deri në 35 vjeç, kanë thënë se gjatë natës kur dalin përdorin substance psikoaktive. Prej tyre, 75 përqind këtë e kanë bërë muajin e kaluar, tregon hulumtimi i ri i HOPS – Opsione për jetë të shëndetshme Shkup, transmeton Portalb.mk.

Substanca më e përdorur është alkooli (44,5 përqind nga numri total i të anketuarve). Kanabis kanë përdorur 35,3 përqind nga numri total i të anketuarve, kokainë kanë përdorur 24,3 përqind, ndërsa 21 përqind kanë marrë MDMA, gjegjësisht ekstazë.

Këtë e tregon hulumtimi i ri i HOPS –Opsione për jetë të shëndetshme Shkup, organizata që ka marrë pjesë në projektin rajonal “Të rinjtë për të rinjtë, të bashkëpunojnë”, i financuar nëpërmjet Erasmus+ programeve, ndërsa i realizuar në partneritet me organizatat “Re Gjenerata” nga Beogradi dhe “Udruga Tera” nga Rieka e Kroacisë.

Sipas rezultateve, amfetaminë kanë përdorur 16,8 përqind nga numri total i të anketuarve, gjegjësisht 20 të anketuar ose 33,9 përqind nga ata që kanë përdorur substanca në muajin e kaluar, ndërsa kërpudha magjike kanë përdorur 6,7 përqind nga numri total i të anketuarve.

“Mënyra më e shpeshtë e përdorimit të substancave psikoaktive është nga goja duke e gëlltitur me 91,5 përqind, më pas nëpërmjet të hundës dhe prija e duhanit janë me 88 përqind. Përdorimi i substancave me injeksion, e cila para 10 viteve ishte më aktuale në Maqedoni, te këta të anketuar është shumë e rrallë. Vetëm dy prej të anketuarve janë përgjigjur se kanë përdorur substanca me injeksione”, thonë nga HOPS.

Të anketuarit të moshës prej 18 deri në 35 vjeç

Ky hulumtim është një nga aktivitetet e projektit, sipas të cilit është dashur të shihen kapacitetet ekzistuese dhe praktikat e organizatave rinore rajonale që punojnë me të rinjtë që marrin pjesë në jetën e natës dhe/ose përdorin substance psikoaktive në mjedise rekreative.

“Hulumtimi online u zbatua në periudhë njëjavore dhe gjithsej 119 të anketuar të moshës prej 18 deri në 35 vjet morën pjesë. Pjesa më e madhe e të anketuarve janë të moshës 31-35 vjet (36%) ndërsa të moshës 22-25 vjet (30%).

Sipas gjinisë 57,14 përqind janë femra, 39,5 përqind janë meshkuj, 2 pjesëmarrës janë trans-gjinorë, 1 person i deklaruar si jo-binar dhe 1 nuk është deklaruar”, thonë nga HOPS.

Sipas arsimimit, pjesa më e madhe 70 përqind janë me arsim të lartë, ndërsa 30 përqind janë me shkollë të mesme.