RMV – Në mungesë të 155 gjyqtarëve


Maqedonia e Veriut përballet me mungesë gjyqtarësh, problem i cili mund të rezultojë me vjetërsim të lëndëve dhe veprave të ndryshme penale. Akademia e gjykatësve dhe prokurorëve dy vite ka qenë jofunksionale, çka nënkupton se nuk ka pasur mundësi për gjykatës të rinj që do të plotësonin vendet vakante. Gjendur në këtë situatë, Këshilli i gjykatësve delegon vazhdimisht gjyqtarë nga një gjykatë në tjetrën për të plotësuar nevojat e gjykatave, gjegjësisht të zvogëlohet numri i lëndëve që të mos vjetrohen.Ky problem minon drejtësinë në vend, përkatësisht nga ndjekja penale mund të shpëtojnë persona me vepra të rënda penale, si dhe rezulton me joefikasitet në vendosjen e drejtësisë ndaj atyre që iu është bërë dëm. Kjo stagnon madje edhe rrugën drejt BE-së, pasi reformat në këtë sektor janë pjesë e procesit të vendit në rrugën drejt Bashkimi Evropian.Gjykatat me mungesë gjyqtarësh duhet që vazhdimisht të riorganizohen, pasi mund të shpresojnë vetëm për kolegë të rinj shtatorin e ardhshëm. Më pas përfundon gjenerata aktuale e Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë.

“Gjyqësori po përballet me mungesë gjyqtarësh prej vitesh. Sistematizimi i numrit të gjyqtarëve parashikon që nevojiten 639 gjyqtarë në nivel të të gjithë shtetit, kurse për momentin kemi 484 gjyqtarë, që do të thotë se kemi boshllëk prej 155 gjyqtarësh. Numri i gjyqtarëve plotësohet përmes Akademisë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë, gjegjësisht që dikush të zgjidhet gjyqtar nga Këshilli Gjyqësor, duhet të ketë kaluar akademinë”, deklaroi Ljubisha Arsiq nga Këshilli gjyqësor.Arsiq shtoi se të ndodhur në këtë situatë, ata si Këshill vazhdimisht përballen me kërkesë gjyqtarësh nga ana e krerëve të Gjykatave në vend, por ajo që bëjnë është delegimi i gjyqtarëve atje vlerësohet se ka vërtetë nevojë.“Këshilli Gjyqësor vazhdimisht ka kërkesa nga kryetarët e gjykatave të cilët kërkojnë t’iu ndahet numër shtesë i gjyqtarëve që të mund t’i kryejnë të gjitha lëndët që kanë, gjegjësisht të zvogëlohet numri i lëndëve që të mos vjetrohen. Këshilli Gjyqësor delegon vazhdimisht gjyqtarë nga një gjykatë në tjetrën për të plotësuar nevojat e gjykatave. Kjo do të thotë se Këshilli Gjyqësor vlerëson se cili gjyqtar nga cila gjykatë mund të delegohet në një gjykatë tjetër që do të vlerësohet se metë vërtetë ka nevojë me qëllim që të arrihet vendosja e drejtësisë më shpejt dhe në mënyrë dhe më efikase”, deklaroi Arsiq.

Ndërkohë të pyetur nga Portalb.mk, nga Akademia për gjyqtar dhe prokuror publik, thonë se në gjeneratën e aktuale të VII në trajnimin fillestar, 59 persona kanë kaluar me sukses mësimin teorik dhe aktualisht janë referuar në mësime praktike në gjykata apo prokurori publike. Nga 59 dëgjues në trajnimin fillestar, 30 janë përzgjedhur gjyqtarë dhe nëse e kalojnë me sukses provimin përfundimtar që pritet ta japin në dhjetor 2022, do të fitojnë statusin e kandidatëve për gjyqtarë.“Njëkohësisht ju njoftojmë se është në rrjedhë shpallja publike për pranimin e 97 dëgjuesve në trajnimin fillestar (50 vende për gjyqtarë dhe 47 vende për prokurorë publikë) dhe pritet që të njëjtit ta ndjekin mësimin teorik nga janari i vitit 2022”, thuhet në përgjigjen e Akademisë për gjyqtar dhe prokuror publik.

Pothuajse në të gjitha gjykatat mungojnë gjyqtarë. Gjykatat Më të voglat, si në Vinicë, Berovë, kanë një ose asnjë, kështu që janë deleguar gjyqtarë nga komunat fqinje, të cilët gjithashtu kanë mungesë kuadri. Ndërkohë gjyqtar dhe prokuror mund të bëhen vetëm ata që përfundojë Akademinë. Kurse kuadër të till nuk ka, në verë janë shpërndarë gjashtë që kanë përfunduar akademinë, kurse gjenerata aktuale do të përfundojë tek vitin e ardhshëm në qershor.Gjykatës Themelore të Shtipit i mungojnë tre gjyqtarë, por situata do të jetë edhe më kritike vitin e ardhshëm, kur tre të tjerë të pensionohen. Vakanca ka edhe në Apel, pasi janë shkarkuar disa gjyqtarë. Faji për këtë qëndron në faktin se Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë ishte jofunksionale për rreth dy vjet. Një nga zgjidhjet e propozuara është që të ketë kuota gjatë regjistrimit në Akademi për çdo zonë apeli.

Në pyetjet e gazetarëve, gjatë muajit shtator, se si do të zgjidhen borxhet që Prokuroria Publike i ka ndaj Byrosë për ekspertizë gjyqësore, për shkak të të cilave zvarriten një numër i madh i procedurave gjyqësore, ministri e Drejtësisë, Bojan Mariçiq, i këshilloi ata që të kërkojnë më shumë para në buxhetin e vitit të ardhshëm.Ndërkohë, të pyetur nga prokuroria publike se a e kanë marrë këshillën e ministrit, nuk ka asnjë përgjigje.Komisioni Evropian në raportin e fundit për Maqedoninë e Veriut thekson se projektligj i propozuar për Akademinë për gjyqtarë dhe Prokurorë duhet ta mbajë Akademinë si pikën e vetme hyrëse në gjyqësor dhe prokurori, të sigurojë akses të drejtë dhe transparent në këto profesione dhe duhet të ndjekë rekomandimet e misionit të rishikimit kolegial të vitit 2018 për trajnimin gjyqësor dhe të adresojë shqetësimet e Komisionit Evropian në lidhje me ristrukturimin e mundshëm të kufizuar të trajnimit fillestar. Buxheti i vitit 2021 i Akademisë, thuhet më tej në raport ka shënuar rritje prej afërsisht 35%. Në vitin 2021 janë pranuar tre punonjës të rinj.