Paraqitja e virusit korona në fillim të vitit, i cili u shpall pandemi, pasi shtrirja e tij përfshiu çdo skaj të botës, ka ndryshuar agjendën e qeverive botërore, të cilat po përdorin të gjitha kapacitetet shtetërore për t’u përballur me këtë luftë.
Por, edhe atëherë kur duket se i gjithë fokusi është në luftën kundër COVID-19 dhe kjo është sfida më e madhe me të cilën po ballafaqohet sot bota, lajmet e rrejshme vazhdojnë të jenë një “armik” serioz global, i cili nuk “pushon” edhe në situata si kjo.
Me këtë rrezik po ballafaqohen të gjitha vendet anëtare të Aleancës, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, gjë që është posaçërisht e rrezikshme gjatë kohës së pandemisë së virusit korona.
Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, tha për Portalb.mk se, arma më efikase kundër lajmeve të rrejshme, është transparenca drejt opinionit dhe se, qasja te informatat zyrtare është përcaktim i qeverisë dhe ajo dëshmohet si shumë e rëndësishme, posaçërisht në kohën e pandemisë.
Në aspektin e kërcënimeve hibride, kanë shtuar nga kjo ministri, Maqedonia e Veriut si vend anëtar i NATO-s, është në koordinim të vazhdueshëm me Aleancën dhe ka qasje te të gjitha kapacitetet e NATO-s për adresimin e kësaj çështje, pasi tashmë vendi ka mundësinë që t’i shfrytëzojë të gjitha instrumentet e Aleancës në luftën me kërcënimet hibride dhe lajmet e rrejshme.
“Në kushte të pandemisë, shteti ynë ka zbatuar parimin e transparencës së plotë, qasja e të gjitha informatave për mediat dhe opinionin dhe ajo është arma jonë më e fuqishme në luftën me lajmet e rrejshme. Me konferencat e përditshme për media dhe përgjigje të të gjitha pyetjeve, ngushtohet hapësira për lajme të rrejshme. Qasja dhe dhënia e të gjitha informatave në kohë nga burimeve zyrtare, përgjigjja e të gjitha pyetjeve që mediat i marrin çdo ditë nga burime zyrtare, ka ulur edhe fuqinë e lajmeve të rrejshme, përkatësisht ka mundësuar qytetarët t’i rezistojnë lajmeve të rrejshme dhe të mos i marrin si burim relevant informatat jozyrtare që kanë për bazë lajmet e rrejshme. Çdo gënjeshtër mund të verifikohet në çdo moment dhe të merret përgjigje e saktë nga burimet më të thirrura zyrtare”, kanë thënë nga Ministria e Mbrojtjes.
Ato po ashtu, kanë theksuar se, roli i mediave profesionale në këtë drejtim është e një rëndësie shumë të madhe, sepse përgjegjësia ndaj interesit publik është e barabartë.
“Përkrah institucioneve dhe mediave, pikërisht qytetarët janë ata të cilët përmes rrjeteve sociale, përmes kontakteve personale, i marrin informatat e sakta dhe relevante dhe i përhapin, me qëllim që masat dhe rekomandimet për parandalim dhe sanim të arrijnë te secili. Ndoshta është e rrallë, por fakt është se më në fund, në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut, informatat e sakta përhapen më shpejt dhe në mënyrë më masovike se ato të rrejshme”, deklaruan nga kjo ministri.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i pyetur nga Portab.mk, tha se, shteti po ballafaqohet me fenomenin e lajmeve të rrejshme, përmes shpërndarjes së të gjitha aktiviteteve që i ndërmarrin dhe duke ua sqaruar ato mediave dhe opinionin se si i argumentojnë masat dhe për çfarë ndërmerren ato.
“Mënyra transparente e ndarjes së të gjitha informatave, fillimisht na jep edhe neve burim shtesë të informimit nga ana e përfaqësuesve të mediave na mundëson që të kemi kontroll ndaj të gjitha detajeve në këtë proces. Nuk mundet që në mënyrë tjetër të merren dhe të arrihet deri tek informata edhe nga terreni dhe të dihet se çfarë saktë ndodhë në të gjitha segmentet. Sistemi gjithëpërfshirës është kompleks dhe mikro informatat e tilla, madje edhe mikro menaxhimi, na mundëson që të kemi menaxhment të mirë edhe neve në këtë proces dhe këtë luftë në përgjithësi”, tha Filipçe.
Dezinformimet dhe lajmet e rrejshme, sipas burimeve të NATO-s, vijnë nga Rusia dhe Kina, ndërsa morën hov të madh me krizën e pandemisë nga virusi korona në Ballkanin Perëndimor. Dezinformimet nga Rusia bëhen tashmë një kohë të gjatë, që kur Maqedonia e Veriut kërkoi që të bëhet anëtare e NATO-s dhe vazhduan kur pranimi i vendit në Aleancë ishte konfirmuar.Portalb