RMV-ja, prej nesër eksporton vaj luledielli në Shqipëri

Ministrja e Financave e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut Kreshnik Bekteshi deklaroi se nesër do të fillojë importi i vajit të lulediellit nga Maqedonia e Veriut, i cili më parë importohej kryesisht nga Ukraina.

“Republika e Maqedonisë së Veriut nesër do të marrë vendim të rëndësishëm që do të hapë eksportin e vajit të lulediellit në Shqipëri, produkt që importohej kryesisht nga Ukraina. Kemi ndjerë mungesë si dhe në tregjet ndërkombëtare, prandaj edhe çmimet janë më të larta. Dua të falënderoj ministrin Bekteshi për bisedimet konstruktive dhe dua të garantoj se marrëdhëniet mes dy vendeve në fushën e tregtisë do të vazhdojnë të jenë shumë të mira”, tha Ibrahimaj.

Ajo shtoi se do të vazhdojë lehtësimi i të gjitha procedurave në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Për shkak të mungesës së vajit për gatim në Shqipëri, i cili kushton 3,1 euro, shumë qytetarë nga rajonet kufitare me Maqedoninë e Veriut kryesisht blejnë vaj në Dibër, Strugë, Ohër dhe Resnjë.