RMV interesimi “zero” për dozën e parë


Vaksinimi vazhdon, por me interesim të ulët. Në Poliklinikën e Bukureshtit në Shkup, pika e vaksinimit funksionon vetëm në turnin e dytë, por qytetarët në pikë të verës nuk e kanë prioritet imunizimin. Aty prezent ishte vetëm stafi, të cilët na thanë se gjatë muajit korrik nuk kanë dhënë as 100 doza të para.

“Ora 14:00 dhe posa ka filluar turni i dytë këtu në Poliklinikën e Bukureshtit, por siç po duket qytetarë nuk ka të interesuar për vaksinimi. Megjithëse ka filluar edhe dhënia e dozës së katër sërish qytetarët hezitojnë të vijnë dhe të imunizohen kundër kovidit”.

Pikat e vaksinimit anti-kovid në Poliklinikat e kryeqytetit reduktohen vetëm në një turn. Madje dy prej tyre janë dislokuar edhe në hapësira më të vogla nga që interesimi për vaksinim ka rënë në “dysheme”. Në Poliklinikën e Çairit dhe Jane Sandanskit, imunizimi anti-kovid është organizuar vetëm turnin e parë. Ndërkaq, në pikën e tretë të imunizimit në kryeqytet, Infermierja Mirkovska tha se punojnë deri vonë.

“Me miratimin e Komitetit nacional për imunizim për dozën e katër para një muaji, numri për vaksinim është rritur paksa, rreth njëqind qytetarë vijnë për tu imunizuar. Posaçërisht me dozën e katër, por ka edhe me të parën, të dytën dhe të tretën. Për momentin kemi në dispozicion llojin Pfizer dhe Moderna duke filluar që sot. Të gjithë ata që nuk janë vaksinuar iu bëjmë thirrje të vijnë për tu imunizuar”, tha Silvana Mirkovska, Infermiere.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se sipas informacioneve të fundit nga “Termini im”, deri më sot dozën e katërt e kanë marrë mbi 5000 persona. Vaksinimi me dozën e katërt po kryhet me Pfizer ose Moderna. Intervali i rekomanduar ndërmjet dozës së 3 dhe 4, pra dozës përforcuese, është të paktën katër muaj.

“Numri më i madh i personave të vaksinuar në muajin korrik janë me dozën e katërt, mbi 5000. Me dozën e tretë janë rreth 700 persona të vaksinuar, ndërsa numri i të vaksinuarve me dozën e parë dhe të dytë në muajin korrik është dukshëm më i vogël”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Vaksinimi me dozën e katërt, sipas autoriteteve, rekomandohet veçanërisht për pacientët me sëmundje kronike, pacientët me dializë, pacientët me transplantim, pacientët onkologjikë, pacientët me imunitet të kompromentuar dhe për personat mbi 60 vjeç. Në raportin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik, gjithsej 875.236 persona janë regjistruar me të paktën një dozë të vaksinës kundër Covid, dhe gjithsej 856.248 persona janë vaksinuar plotësisht me dy doza. /Alsat.mk