RMV, gruaja pushohet nga puna sepse dëshironte të mbetej shtatzënë

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka konstatuar rastin e parë të diskriminimit gjinor ndaj një punonjëseje nga sektori privat, për shkak të qëllimit të saj për të mbetur shtatzënë përmes fekondimit in vitro.

Punonjësja, e cila kishte punuar për dy vite te një punëdhënës privat, e informoi atë për shtatzëninë e planifikuar dhe kërkoi leje mjekësore për transferimin e embrionit. Punëdhënësi e largoi nga puna pa afat njoftimi ndërsa ajo ishte me pushim vjetor, duke e akuzuar për mungesë në punë dhe për shkelje të rregullit dhe disiplinës në vendin e punës.

Këshilli për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka trajtuar një ankesa të paraqitur nga Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj për diskriminim bazuar në gjini, seks dhe statusin personal – shtatzëninë në fushën e marrëdhënieve të punës. Gjatë procedurës, u vërtetua se punëdhënësi nuk e ka respektuar procedurën ligjore për përcaktimin e përgjegjësisë. Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nuk ishte dorëzuar në mënyrë të duhur. Punonjësja ishte hequr nga sigurimi shëndetësor dhe social. Për shkak të këtyre veprimeve, ajo nuk mundi ta përfundojë procedurën e fekondimit in vitro me mbulim të kostove nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, gjë që solli pasoja shëndetësore dhe financiare, sipas një njoftimi nga Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj.

Komisioni ka arritur në përfundimin se pushimi i punës është drejtpërdrejt i lidhur me shtatzëninë e planifikuar dhe e ka vlerësuar atë si një formë të diskriminimit gjinor, duke rekomanduar që punëdhënësi të kompensojë shpenzimet për procedurën, të cilat u mbuluan me mjete private nga punonjësja.

Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj theksoi se kjo praktikë është e papranueshme dhe përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ligji për Marrëdhëniet e Punës.

Ky rast, sipas tyre, është një sinjal i qartë se çdo përpjekje për diskriminim ndaj punonjëseve për shkak të statusit të tyre riprodhues do të sanksionohet. Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj, shtojnë ata, mbetet e angazhuar për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, duke siguruar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.