Rinisin negociatat Kiev-Moskë

Të premten, 1 prill, kanë rinisur negociatat mes Kievit dhe Moskës, derisa në Mariupol ka ende bllokadë në dërgim të ndihmave humanitare dhe evakuim të civilëve nga qyteti i shkatërruar prej luftës.

“Ne po vazhdojmë bisedimet përmes video-konferencës”, ka thënë shefi negociator i palës ruse, Vladimir Medinsky përmes Telegramit. “Pozicionet tona për Krimenë dhe Donbasin nuk kanë ndryshuar”, ka thënë ai.

Rundi i ri i bisedimeve vjen pasi negociatorët rusë dhe ata ukrainas kanë zhvilluar negociata sy më sy më 28 mars në Stamboll.

Para nisjes së takimit të së premtes, negociatori ukrainas, David Arakhamia, ka thënë se Turqia dhe Gjermania kanë shprehur gatishmëri për të shërbyer si garantuese për siguri, në rast të arritjes së ndonjë marrëveshjeje mes dy palëve.

Petro Andryushchenko, këshilltar i kryetarit të Mariupolit, ka thënë se Rusia është duke bllokuar dërgimin e ndihmës në qytetin e rrethuar dhe është duke parandaluar hapjen e “korridorit humanitar” në mënyrë që banorët të ikin nga luftimet e ashpra mes forcave ukrainase dhe atyre ruse.

Andryushchenko ka thënë në një postim në Facebook se Mariupoli mbetet i mbyllur më 1 prill, dhe se konvojet e ndihmës janë bllokuar.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë më 31 mars se një konvoj i 45 autobusëve është drejtuar për në Mariupol, për të dërguar ndihmë për banorët e bllokuar me javë në këtë qytet.

“Qyteti vazhdon të jetë i mbyllur dhe me dalje shumë të rrezikshme përmes transportit publik”, ka thënë ai.