Derisa numri i të sëmurëve dhe të vde*kurve nga virusi korona nuk pushon, edhe më tutje në mbarë vendin ka ahengje, bëhen petulla për lindjen e foshnjave dhe organizohen dasma. Në një situatë të këtillë parashtrohet pyetja- si do ndikojë në psiken e njerëzve kthimi i mundshëm i masave restriktive? Kufizimi i ri i mundshëm i lëvizjes së njerëzve, si për shembull karantina apo kthimi i serishëm i orës policore, do ndikojë në ndjenjat tona pasi kufizohet liria e lëvizjes dhe pasja në dispozicion e hapësirës dhe kohës, thotë psikologja Katina Pavllovska.
Sipas saj, problemet më të mëdha në të shumtën e rasteve paraqiten tek të rinjtë, pasi për shkak të moshës, ata janë më së shumti aktiv. Megjithatë, për atë se si do të reagojë individi në planin emocional dhe psikologjik varet nga struktura e individit. Tek personat që nuk kanë ndërtuar mekanizma të mjaftueshme kreativ për mbrojtje psikologjike, mund të paraqiten gjendje anksioze.
“Mund të presim një sërë reagimesh pasi më të ndjeshëm janë ata persona të cilët edhe paraprakisht kanë pasur probleme të caktuara emocionale dhe kufizime të caktuara në drejtim të ballafaqimit me frustrime të llojllojshme.“’- deklaroi Katina Pavllovska, psikologe. Sipas sociologut Ali Pajaziti, masat e reja të mundshme dhe karantina, negativisht do të ndikojë tek njerëzit pasi ata tashmë janë mësuar me normalitetin e ri.
“Kthimi prapa nuk është hap i mençur. Në këtë kontekst, çdo qytetarë, njerëzit tashmë u stabilizuan me perceptimin e situatës së re dhe me kontekstin e pandemisë”- pohoi Ali Pajaziti, sociolog. Ekspertet thonë se institucionet duhet ta ngritin përgjegjësinë personale tek individi, gjegjësisht duhet të punohet në ngritjen e vetëdijes kolektive te qytetarët, pasi vetëm ashtu do mundemi ta mbrojmë veten dhe të tjerët nga infektimi.