Rikthehet interneti dhe linjat telefonike në Gaza

Linjat telefonike dhe interneti janë rikthyer për banorët në Gaza. Mediat raportojnë se gjatë gjithë ditës së kaluar pati një bllokim të komunikimeve. Ajo që bëhet me dije është se ushtria izraelite vijoi me bombardimet ajrore. Po ashtu, edhe nga krahu palestinez janë lëshuar raketa drejt Izraelit jugor.

Ndërprerja e linjave telefonike dhe internetit çoi në reagimin e grupeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Agjencitë e ndihmës nuk mund të komunikonin dot me stafet e tyre në terren. Po ashtu, njerëzit nuk mund të mësonin fatet e të afërmve të tyre të dashur nëse ishin gjallë apo jo.

Jehad Abusalim, një student palestinez në New York tha për BBC se nuk ka qenë në gjendje të flasë me prindërit dhe vëllezërit që kur u ndërprenë komunikimet.

“Heshtja në fund të çdo telefonate dhe mesazhi është e frikshme. Çdo minutë që kalon, duke mos e ditur nëse janë gjallë apo të vdekur, mirë apo keq, nëse janë në shtëpi apo janë evakuuar është e dhimbshme”, tha i riu.

Ndërkohë ka reaguar edhe Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, i cili ka thënë se lëvizjet e Izraelit “kanë kaluar vijat e kuqe të cilat mund t’i detyrojnë të gjithë të veprojnë”.

“Uashingtoni na kërkon të mos bëjmë asgjë, por vijojnë mbështetjen e gjerë për Izraelin”, tha ai.

Ndërkohë kryeministri Benjamin Netanyahu, deklaroi në një fjalim televiziv mbrëmjen e së shtunës se forca shtesë tokësore izraelite kanë hyrë në Gaza. Sipas tij, kjo shënon nisjen e ‘fazës së dytë’ të asaj që ai tha se do të jetë një ‘luftë e gjatë dhe e vështirë’ me Hamasin.

Ai tha se shpëtimi i pengjeve është pjesë integrale e qëllimeve ushtarake, por që prioriteti kryesor është që të “shfarosin” Hamasin.

Ndërkohë Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka akuzuar Izraelin për krime lufte. Netanyahu si kundërpërgjigje tërhoqi diplomatët nga Ankaraja zyrtare.

Izraeli po e bombardon Gazën që prej 7 Tetorit, kur Hamasi e sulmoi dhe vrau rreth 1400 izraelitë. 229 të tjerë i morën peng. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se më shumë se 8 mijë persona janë vrarë nga sulmet izraelite./tvklan.al