Rigjykimi i rastit “Alfa”, Iseini: “Gjykata Penale ka shkelur të gjitha afatet” (VIDEO)

Avokatja e të dënuarve në rastin “Alfa”, Artene Iseni, thotë se Gjykata Penale në Shkup ka shkelur të gjitha afatet ligjore lidhur me kërkesën e mbrojtjes për përsëritjen e procedurës gjyqësore për këtë lëndë, pas ekspertizës së kryer jashtë vendit. Zonja Iseini tha se gjykata me muaj po e mban në sirtarë lëndën pa dhënë përgjigje konkrete për zvarritjen e çështjes.

“Gjykata Penale në Shkup duke mos respektuar dispozitat e parapara me ligj edhe afatet e parapara me ligj, për 6 muaj mban nëpër sirtaret e saj lëndën duke mos e shqyrtuar akoma. Janë tejkaluar të gjitha afatet e parapara me ligj por deri tani nuk kemi pasur një përgjigje konkrete. Përgjigja e fundit është se gjykatësja tek e cila është caktuar lënda, është në pushim mjekësor dhe është zvarritur që nga qershori i vitit 2021, ju është mohuar e drejta elementare për ta rishqyrtuar këtë lëndë edhe përkundër faktit që kemi parashtruar kërkesë për përsëritjen e procedurës. Përsëritja e procedurës është mjet i jashtëzakonshëm, që do të thotë se është i natyrës urgjente por nuk kemi akoma një përgjigje konkrete”, tha avokatja Artene Iseini.

Në qershor të vitit 2021 një ekspertizë e kërkuar nga mbrojtja në rastin “Alfa” dhe e realizuar në Serbi konstatoi se të dënuarit për këtë rast nuk janë aktorët e vrasjes së policit në parkingun pranë Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup. Vrasja e policit dhe plagosja e dy të tjerëve që më pas u kodua si rasti “Alfa” ndodhi më 26 nëntor të vitit 2008. Në vitin 2010 gjykata dënoi me burg të përjetshëm Rexhail Qerimin, Agim Islamin dhe Almir Derplaninin, ndërsa për logjistikë me 9 vite burg u dënua Ramadan Shaqiri.