Shitësit kërkojnë që të japin një mesazh se njerëzit duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin në kohë trazirash.
Biznesi ka rinisur pjesërisht punën në tregjet ushqimore në Kiev, pasi trupat ruse u tërhoqën nga qyteti, pavarësisht paralajmërimeve nga Moska se mund të godasë sërish kryeqytetin ukrainas.
Gjysma e dyqaneve në tregun Troieschyna, një nga tregjet më të mëdha në Kiev janë mbyllur për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë që shpërtheu më 24 Shkurt. Por tezga e drejtuar nga Alla Melnychuk dhe Oleksiy Kylushyk qëndron e hapur. Ata thonë se duan të jenë të pranishëm dhe të japin një mesazh se njerëzit duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin në kohët më të vështira.
Oleksiy Kylushkyk: Disa do të blinin mandarina, tranguj dhe domate. Kievi gradualisht po kthehet në jetë. Njerëzit blejnë më shumë në krahasim me kohën kur tensionet ishin në kulmin e tyre këtu. Ka njerëz që kanë nevojë për ushqim nga ne. Dhe ne gjithashtu kemi nevojë për para.
Tregu Troieschyna dikur ishte një vend i njohur për banorët që merrnin ushqimin e tyre të përditshëm dhe gjërat e tjera të nevojshme. Por për shkak të një ndërprerjeje në dërgesat, konsumatorët kishin shumë pak përzgjedhje kur bëhet fjalë për ushqimet bazë. Shitësit thonë se një e treta e klientëve të tyre besnikë janë kthyer. Megjithëse shumë prej tyre ende jetojnë me frikën e një të ardhmeje të panjohur me të cilën duhet të përshtaten për të rifilluar jetën e tyre të përditshme.