Rifat Jashar, vëllai i Adem Jasharit, është pritur me duartrokitje të gjata e me nderim të thellë, në Kuvendin e Kosovës. Me urtësinë që e karakterizon dhe që imponon respekt, përfaqësuesi i familjes e cila dha gjithçka për Kosovën, mori fjalën për t’iu drejtuar deputetëve të Kosovës. Shkurt, por me mesazh të qartë, Jashari bëri thirrje për unitet të spektrit politik, sidomos për çështjen e hapur me Serbinë.
“Këtu është Kuvendi ku merren vendimet për të ardhmen e shtetit, u kisha preferuar ta kalojmë këtë sfidë që e kemi përpara, të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia e tani kemi kohë të merremi me tjerët”, tha Jashari.
“Sot jemi bashku në 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, i përshëndes edhe ambasadorët. Duke i falënderuar SHBA-të, shtetet e mike tona, e ju ushtarët tanë. Falënderoj nënat e dëshmorëve, motrat, veteranët, invalidët, familjarët e personave të zhdukur, lavdi e nder për të gjithë ata që ranë”, theksoi ai.
Më 5-7 mars 1998, rreth 5,000 forca serbe bllokuan kompleksin e familjes së Jasharit në fshatin Prekaz dhe vranë 58 nga familja dhe të afërmit e tij, duke përfshirë gra, fëmijë dhe pleq. Masakrës i shpëtoi vetëm Besarta, vajza 10-vjeçare e Hamza Jasharit. Sulmi, i njohur si Masakra e Prekazit, konsiderohet si një nga pikat kthese që çuan në vendimin e NATO-s për të ndërhyrë në Kosovë në vitin 1999