Rexhep Selimi para Dhomave të Specializuara: Aktakuza e ngritur është e rëndë dhe e padrejtë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-drejtuesi i operacioneve në UÇK, Rexhep Selimi, ka thënë se aktakuza e ngritur nga Gjykata Speciale ndaj tij është e rëndë, e pasaktë dhe e padrejtë. Kështu deklaroi ai në paraqitjen e tij të parë para Dhomave të Specializuara, ku theksoi se kishte kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate.

“Nuk është vendi as rendi të flas për legjitimetin e kësaj Gjykatte, duke e ditur se këtë Gjykatë e ka themeluar Kuvendi i Kosovës. Unë si deputet i këtij Kuvendi e pata kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate. Më lejoni t’iu kujtoj i nderuari Gjykatës, se pasi Kosova e shpalli pavarësinë e saj, Serbia e pati paditur Kosovën se pavarësia e saj është e paligjshme.”, tha ai. Selimi e ka cilësuar aktakuzën e ngritur ndaj tij si të rëndë dhe të padrejtë, por tha se ky proces do të dëshmojë se populli i Kosovës luftoi për liri.

“Por, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i tha të drejtë Kosovës. Aktakuza e ngirut nga ana e Prokurorisë, ishte e rëndë, e pasaktë dhe e padrejtë, por vet ky proces do ta dëshmojë se ne ishim një popull që luftuam për liri. Lufta e vendit tim ishte e pastër dhe e drejtë dhe kjo luftë do të jetë e tillë edhe pas këtij procesi.” tha ai. Ndryshe, gjyqtari ka thënë se mbi Selimin rëndojnë gjithsej dhjetë akuza, gjashtë prej tyre kundër njerëzimit dhe katër si krime lufte.

“Më 26 tetor u konfirmua aktakuza ku përmbahen 6 akuza për krime kundër njerëzimit, përkatëisisht pëndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë dhe vrasje, zhdukje me forcë e personave. Katër akuza për krime lufte, për ndalim arbitrat, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.”, ka thënë ai. Kujtojmë se Selimi të mërkurën në mbrëmje njoftoi se ka një aktakuzë të konfirmuar kundër tij, teksa vetëm një ditë më pas u nis për në Hagë.