Rexhep Selimi: Nuk e kemi guximin e Hotit për të sjellë marrëveshje sikur ajo e Uashingtonit

Deputeti i VV’së, Rexhep Selimi, në një intervistë në Telegrafi.com, ka treguar se pse kjo parti ka kërkuar interpelancë ndaj kryeministrit Avdullah Hoti. Selimi ka thënë se marrëveshja e nënshkruar nga Hoti në Uashington është e dëmshme dhe se ai duhet të tregoj se çka ka përfituar Kosova dhe çka ka humbur Serbia.

Ai ka thënë se Qeveria Hoti me nënshkrimin e kësaj marrëveshje i ka bërë dëm shtetësisë së Kosovë, duke diskutuar edhe për çështje të brendshme me Serbinë. Selimi ka thënë se shqetësimet e tyre rreth shkuarjes së delegacionit në Uashington kanë rezultuar të drejta.

“Ajo çfarë ndodhi në Uashington ndonjëherë nuk po interpretohet drejt, e ndonjëherë edhe po keqinterpretohet. Ajo çfarë tash është evidente është se ne atje nuk kishim një marrëveshje me Serbinë, por kishim të nënshkruar një dokument me zotimet e Hotit, të cilat zotime jo që janë vetëm të padrejta por edhe të dëmshme nëse do të realizohen”, ka thënë ai.

Selimi pohoi se në Uashington janë diskutuar çështje që nuk është dashtë të diskutohen. “Nuk pamë diçka të mirë, por vetëm të rrezikshme, p.sh çështja e Ujmanit. I rrezikshëm ishte qasja e kryeministrit Hoti për kufijtë, pra vuri nënshkrimin në mosnjohjen e kufijve ndërshtetërorë mes Kosovës dhe Serbisë”, potencoi ai.