Revolucion te Barcelona, 12 lojtarë me “valixhe në duar”. Ja futbollistët që priten të largohen

Këtë herë është koha për revolucion. Barcelona nuk ka ndërmend që të tolerojë më gabimet dhe mungesën e rezultateve. Nën drejtimin e presidentit Laporta dhe stafit të tij menaxhues do të bëhen shumë ndryshime dhe pritet që të largohen futbollistë të rëndësishëm.
Nuk përjashtohet mundësia që në listën e lojtarëve të skarcuar të ketë edhe emra që deri dje konsideroheshin të paprekshëm. Përjashtim bën vetëm Lionel Mesi, për të cilin drejtuesit po punojnë për rinovimin e kontratës së tij. Nga porta në su*lm do të ketë disa të skarcuar. Portieri Neto nuk është i keq, por ai duhet të sakrifikohet për shkak se ka kontratë të shtrenjtë.

Edhe mbrojtësit Xhunior Firpo me Umtitin do të largohen për t’u bërë vend të rinjve. Në fundin e sezonit pritet që të largohen edhe futbollistët e huazuar që do të rikthehen si Alenja. Filipe Kutinjo do të jetë gjithashtu në listën e lojtarëve që duhet të gjejnë një tjetër ekip, por edhe Riki Puxh me Pjaniçin dhe Breithueitin.
Po nga emrat e rëndësishëm? Pike, Buskets dhe Serxhio Roberto po bëjnë gati valixhet. Nuk dihet ende e ardhmja e Antuan Grizmanit, i cili për momentin ka pak kërkesa, por mund të sakrifikohet nëse në drejtim të klubit do të telefonojnë skuadra të tjera. E thënë ndryshe, të gjithë janë në shitje…