Reuters: “BE-ja ka dështuar t’i mbajë premtimet si udhëtimi pa viza për Kosovën”

Shefja ekzekutive e Bashkimit Evropian u mundua të mërkurën që t’i risigurojë gjashtë shtetet ballkanike që synojnë anëtarësim se ato janë një familje, e cila një ditë do t’i bashkohet bllokut pas komenteve më të ftohta nga shtetet e BE-së, të cilat po frikësohen nga reagimet e ashpra në shtëpi rreth migrimit.

Robin Emmott, Reuters
Pas disa javësh me diskutime, udhëheqësit e BE-së do të pajtohen për një deklaratë të samitit, me të cilën do të riparaqitet premtimi 18 vjet i vjetër për anëtarësimin e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Serbisë, nëse ato i përmbushin kriteret.

Por me procesin e zgjerimit të bllokuar nga mosmarrëveshje të ndryshme edhe në Bruksel, edhe në rajon, shumë figurave në Ballkan u duket se deklarata e BE-së është diçka boshe. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u mundua që ta kundërshtojë këtë.
“Mesazhi është që Ballkani Perëndimor i takon Bashkimit Evropian. I dëshirojmë ata në Bashkimin Evropian. Ne jemi një familje evropiane”, tha von der Leyen para gazetarëve me të arritur në samitin me udhëheqësit ballkanikë në Slloveni.

“E ndajmë historinë e njëjtë. I ndajmë vlerat e njëjta dhe jam thellësisht e bindur se e ndajmë fatin e njëjtë, gjithashtu”, tha zyrtarja e lartë e BE-së, e cila sapo është kthyer nga një varg udhëtimesh në rajon javën e kaluar.
BE-ja është bindshëm investuesja e huaj dhe partnerja tregtare më e madhe e gjashtë shteteve që kanë dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe luftërat etnike të viteve të nëntëdhjeta.

Por përpjekja nga presidenca sllovene e BE-së për ta bërë vitin 2030 synim për anëtarësimin e gjashtë shteteve ishte e pasuksesshme dhe blloku gjithashtu ka dështuar që t’i mbajë premtimet që janë të prekshme për qytetarët, si udhëtimi pa viza për Kosovën.
“Ky është oborri ynë”

“Ka qenë një padrejtësi e madhe, një mungesë e drejtësisë ndaj qytetarëve të vendit tonë”, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur arriti në samit, duke theksuar se pesë shtete të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nga Serbia.
“Unë jam për mungesë të frikës në anën e BE-së dhe për mungesë të hidhërimit në anën e Ballkanit. Ende kam shpresë”, shtoi ai.

Ai pritet të takohet më vonë të mërkurën me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me Emmanuel Macronin e Francës dhe me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.
Pas një darke të martën në Kështjellën e Bërdos, afër kryeqytetit Lubjanë, gjatë të cilës fokusi ishte në strategjinë e BE-së ndaj Kinës, Afganistanit dhe Shteteve të Bashkuara, disa udhëheqës të BE-së thanë se politika e jashtme duhet të fillojë nga shtëpia, në Ballkan.

“Folëm gjerësisht për rolin e Evropës. Këtu është një shembull se ku, nëse duam ta bëjmë Evropën më të fuqishme dhe gjithashtu ta zgjerojmë ndikimin tonë gjeopolitik, ky është oborri ynë”, tha para gazetarëve Kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins. Të njëjtin qëndrim e shprehu edhe Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz.
“Nëse Bashkimi Evropian nuk i ofron këtij rajoni një perspektivë të vërtetë, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se superfuqitë tjera – Kina, Rusia ose Turqia – do të luajnë një rol më të madh atje. Rajoni i takon Evropës gjeografikisht dhe i duhet një perspektivë evropiane”, tha Kurz.

Shtetet veriore si Danimarka, Franca dhe Holanda kanë frikë për një përsëritje të pranimit të ngutshëm të Rumanisë e Bullgarisë më 2007 dhe përsëritje të imigrimit të menaxhuar dobët të punëtorëve të Evropës Lindore në Britani, gjë që i ktheu shumë britanikë kundër BE-së. Bullgaria është kundër anëtarësimit të Maqedonisë Veriore për shkak të një mosmarrëveshjeje kulturore e gjuhësore në lidhje me historinë e përbashkët.
Një këshilltar presidencial francez i tha agjencisë “Reuters” se Parisi dëshiron që “t’i lyejë rrotat me vaj” në procesin e zgjerimit dhe ta kthejë në rrjedhën e vet këtë proces, duke ndihmuar në tejkalimin e mosmarrëveshjeve rajonale.