Reshjet e shiut të dobishme, por mund të vonojnë mbjelljen e grurit


Shirat e dendur që kanë rënë në mënyrë intensive këto ditë do të jenë të mira për mbjelljen e vjeshtës, por jo edhe për vjeljen e frutave. Bujqit thonë se pas një thatësire të gjatë, reshjet janë gjithmonë të mira, por jo aq intensive sa ditët e fundit, që padyshim është pasojë e ndryshimeve klimatike. Mbjellja e vjeshtës e grurit dhe farërave të tjera do të presë derisa të pushojnë reshjet që toka të mund të përgatitet për mbjellje sepse në kushte të tilla është e pamundur të punohet me makineri bujqësore.

Sigurisht, reshjet janë të mirëseardhur, por ato duhet të jenë me intensitet të mesëm dhe në periudhë të caktuar kur nevojiten. Fatkeqësisht, ndryshimi i klimës ka bërë të vetën ku kemi periudha intensive me mot shumë të nxehtë, pastaj periudha intensive me shumë reshje shiu dhe e gjithë kjo ndikon në prodhimin e ushqimit. Tani mund të them që toka është e ngopur me ujë sepse niveli i lumenjve po rritet, lagështia që merr toka do të kontribuojë në rritjen e mirë të grurit dhe farërave”, tha Vaska Mojsovska- kryetare e Federatës nacionale të fermerëve.

Për disa kultura, shiu i dendur do të ndikojë negativisht në cilësinë e frutave. Një pjesë e rrushit dhe vjelja e orizit janë në rrezik për shkak të reshjeve. Edhe mbledhja e mollës në Resnjë është ndalur për shkak të shiut.
Gjatë kësaj periudhe, punëtorët që erdhën më parë punuan disa ditë dhe për shkak të motit tashmë janë kthyer në Shqipëri. As ata e as ne nuk e dimë se kur do t’i thërrasim”, theksoi Frosina Gjorgievska- prodhuese e mollës.
Shirat e dendur ditët e fundit kanë mbushur rezervuarët dhe kanë rritur akumulimet e liqeneve dhe lumenjve. Sipas të dhënave të Drejtorisë Hidrometeorologjike në ditët e kaluar, më shumë shi ka pasur në Manastir, Tetovë dhe Kumanovë.