Republika e Maqedonisë së Veriut kremton sot 29-vjetorin e pavarësisë

Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon 29-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-Federata jugosllave, përmes një referendumi popullor i cili e shpalli shtetin të pavarur dhe sovran.
Ky referendum atëkohë u bojkotua nga shqiptarët në Maqedoni, të cilët kërkuan statusin e autonomisë dhe nuk ishin të kënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re. Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.

Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e bashkësisë etnike shqiptare dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina…
Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas fitoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.

Subjektiviteti ndërkombëtar-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën botërore. Megjithatë për shkak të kundërshtimeve dhe presioneve të Greqisë, për shkak të emrit, anëtarësimi në KB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit me Greqinë ishte arritur më 17 qershor 2018, sipas së cilës vendi emërtohet si Republika e Maqedonisë së Veriut

Republika e Maqedonisë së Veriut deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 170 shtete në botë, ndërsa me emrin kushtetues është pranuar nga 135 shtete në mesin e të cilave edhe nga tre anëtaret në Këshillin e Sigurisë – Kina, Federata Ruse dhe SHBA-ja.
Gjatë viteve të kaluara të pavarësisë Republika e Maqedonisë së Veriut kaloi në një sërë problemesh dhe vështirësish, derisa sivjet u bë anëtarja e tridhjetë e Aleancës Veri-Atlantike.