Rënia e eksporteve ka vijuar dhe në muajin gusht, duke u thelluar në krahasim me muajin e mëparshëm, si reflektim i pasojave që po jep të eksportuesit rënia e euros, por dhe konjukturës së pafavorshme të çmimeve në bursat ndërkombëtare.
EKSPORTE
INSTAT bëri të ditur se në Gusht 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u ulur me -21,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është rënie më e thellë mujore e këtij viti dhe më e forta që nga viti 2020, kur eksportuesit vuajtën më shumë se të gjithë pasojat e pandemisë.
Në janar shitjet jashtë vendit u zgjeruan me 20.2% me bazë vjetore, ndërsa në shkurt u zgjeruan me vetëm 2.8%. Rënia nisi në mars, me 11.7%, u thellua në prill me 19.3% dhe vijoi tendencën negative në maj me -11.7%. Në qershor tkurrja u thellua sërish në 17.3%, për tu ngadalësuar në korrik në -4%, duke kërcyer në gusht me -21.9%..
Si asnjëherë tjetër, të gjitha grupet janë me rënie në vlerë, me përjashtim të “Produkte kimike dhe plastike”, që gjithsesi ka një peshë shumë të vogël në totalin e eksporteve, me vetëm 3.4%.
Dy grupet që kanë shënuar tkurrjen më të madhe në gusht janë “material ndërtimi dhe metale”, me 50.9% dhe tekstile e këpucë me 18.6%. Në rënie ishin dhe shitjet jashtë për “ushqim, pije e duhan” dhe “makineri e pjesë këmbimit”, që ishin dy sektorët me ecurinë më të mirë të eksporteve vitet e fundit.
Sipas INSTAT, Gjatë muajit Gusht 2023, në uljen e eksporteve prej -21,9 %, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -14,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -3,8 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me – 1,3 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht ka ndikuar grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me +1,1 pikë përqindje.
Thellimi i rënies në gusht, ka përkeqësuar ecurinë për gjithë 8 mujorin. Sipas INSTAT, Në këtë tetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 300 mld lekë, duke u ulur me -8,6 % krahasuar me një vit më pare.
Sipas INSTAT, Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -7,8 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -0,7 pikë përqindje.
Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +1,7 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,4 pikë përqindje.
Fasoni, sektori që po vuan më shumë rënien e euros
Pas një përmirësimi në maj, eksportet e “Tekstile dhe këpucë”, iu rikthyen rënies me bazë vjetore me 8.5% në qershor. E njëjta tendencë vijoi dhe në korrik me -6%. Në gusht tkurrja me bazë vjetore ishte më e thella e këtij viti, me 18.6%.
Sipas eksportuesve, arsyeja kryesore lidhet me rënien e ndjeshme të euros që ul të ardhurat e eksportuesve kur konvertohen në lekë. Faktorë të tjerë që kanë ndikuar janë rritja e pagës minimale që ka shtuar kostot e punës, tkurrja e kërkesës nga jashtë sidomos për këpucë (nga ndryshimi i motit, shitësit e pakicës kanë krijuar stoqe të mëdha), kriza ekonomike në Europë që ka ulur kërkesën si dhe zhvendosja e prodhuesve në Indi e vende të tjera të Azisë për shkak të kostove më të ulëta.
Për 8 mujorin, rënia e eksporteve u thellua në 2.7%, nga 1.27% që ishte reduktimi për 6 mujorin. “Tekstilet e këpucët” mbeten grupi më i madh në vend, me 28% të totalit.
Eksportuesit janë ankuar vazhdimisht te Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave për pasojat që po jep në aktivitetin e tyre zhvlerësimi i fortë i euros, që aktualisht këmbehet me rreth 107 lekë, nga 118 lekë që ishte mesatarja e 2022.
Mineralet e lëndët djegese i rikthehen rënies në gusht
“Mineralet dhe lëndët djegëse” ranë me 3.3% në gusht me bazë vjetore, pasi u rritën ndjeshëm me 39% në korrik. Ecuria e eksporteve të këtij grupi varet nga energjia si dhe nga numri i anijeve që arrin të dërgojë në një muaj Bankers petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend.
Për 8 mujorin, grupi ka shënuar një tkurrje prej 4.5%.
Ky grup vijon të mbetet i dyti më i madh në vend me 23% të totalit për 7 mujorin.
Materialet e ndërtimit dhe metalet vijojnë me tkurrjen e ndjeshme
Materialet e ndërtimit dhe metalet vijuan me tkurrjen e ndjeshme dhe në gusht, me -50.9%, duke pasur ecurinë më negative nga të gjitha grupet. Sipas burimeve nga Kurum, një ndër eksportuesit më të mëdhenj në vend, tendenca lidhet me disa faktorë, si rënia e çmimeve, por dhe frenimi i kërkesës.
Për 8 mujorin, ky grup u tkurr me 33%, duke dhënë ndikimin më negativ në ecurinë e eksporteve.
Ky grup është i treti më i madh për 8 mujorin, me 17.4% të totalit.
Ushqimet, pijet dhe duhani, me rënie
“Ushqimet, pijet dhe duhani” janë sektori që kanë pasur ecurinë më të qëndrueshme të eksporteve këtë vit. Në korrik ky grup i rriti eksportet me gati 20%. Megjithatë në gusht, ky grup shënoi një rënie relativisht të fortë me 9.7% me bazë vjetore, si rrjedhojë e motit të pafavorshëm që ndikoi në reduktimin e prodhimit.
Gjithsesi për 8 mujorin, ky grup është zgjeruar me 17.5%, duke pasur ecurinë më të mirë, ndërsa mbetet i katërti më i madh me 12.8% të totalit
Industria automotive me rënie në korrik, nga kursi
Eksportet e Makineri, pajisje, pjesë këmbimi ishin deri në muajin mars grupi që po shënonte ecurinë më të mirë të eksporteve si rrjedhojë e zgjerimit të fabrikave që punojnë në industrinë mbështetëse automotive. Por, në prill, edhe ky grup shënoi rënie të eksporteve me 5.9% me bazë vjetore. Megjithatë në maj, grupi iu rikthye rritjes, duke u zgjeruar me 10.5%. por, në qershor grupi shënoi sërish rënie, me 4.8%. Tkurrja vijoi dhe në korrik me -3% dhe u thellua në gusht, në 14.3. Sipas përfaqësuesve të kompanive, ecuria negative lidhet me pasojat që po jep zhvlerësimi i euros në aktivitetin e fabrikave që prodhojnë ose montojnë pjesë këmbimit për industrinë automotive.
Për 8 mujorin grupi është rritur me 5.6%, teksa përbën 8.8% të totalit të eksporteve.
Ulet deficiti
Në këtë tetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 300 mld lekë, duke u ulur me -8,6 % krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 577 mld lekë, duke u ulur me -5,0 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 277 mld lekë, duke u ulur me -0,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.
Bien eksportet me Itali e Spanje
Në muajin Gusht 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gusht 2022 janë: Italia (15,5 %), Spanja (64,4 %) dhe Gjermania (42,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: Kosova (27,9 %) dhe Greqia (32,2 %).
Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (11,0 %), Gjermania (28,3 %) dhe Kina (23,2 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kosova (10,0 %), Greqia (17,1 %) dhe Spanja (9,9 %).
Në muajin Gusht 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë: Turqia (40,1 %), Greqia (56,3 %) dhe Maqedonia e Veriut (19,2) %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Gusht 2022 janë: Italia (1,4 %), Kina (14,1 %) dhe Gjermania (14,5 %).
Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (3,8 %), Turqia (21,1 %) dhe Greqia (22,5 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë: Kina (31,5 %), Gjermania (9,5 %) dhe Zvicra (78,0 %). /Monitor