Rëndohet gjendja në Britani, shënohet rekord i viktimave të virusit për 24 orë

Britania e Madhe i ka raportuar 936 persona të vdekur nga koronavirusi vetëm gjatë 24 orëve të kaluara, duke shënuar rekord të ri ditor të viktimave që nga fillimi i përhapjes. Numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 7,095.

Vetëm në Angli u shënuan 828 vdekje të reja. Viktimat ishin nga mosha 22 deri 103-vjeçare. Në Skoci u regjistruan 77 raste fatale, në Uells 33 dhe në Irlandën Veriore pesë vdekje.

Numri i përgjithshëm i personave të infektuar me koronavirus në Mbretërinë e Bashkuar shkoi në mbi 55 mijë, por shkalla e vërtetë e përhapjes nuk dihet. Disa ekspertë shëndetësorë kanë thënë se numri i saktë i rasteve mund të jetë shumë më i madh se shifrat zyrtare që po publikohen nga qeveria.

Britania po përballet me thellim të krizës së koronavirusit në kohën kur edhe vetë kryeministri i vendit ndodhet i shtrirë në spital për shkak të infektimit.

Detyrat e tij i ka marrë përkohësisht ministri i jashtëm, Dominic Raab, i cili po mundohet t’i koordinojë përpjekjet e organeve shtetërore gjatë luftës kundër virusit të ri.

Mbretëria e Bashkuar është një ndër vendet më të prekura nga koronavirusi në Evropë pas Italisë, Spanjës dhe Francës, të cilat kanë më shumë raste.