Rektori i UT-së, Kushtrim Ahmeti, takoi ministrin Fatmir Besimi

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti është pritur sot në një takim pune nga ministri Financave i qeverisë së vendit tonë, Fatmir Besimi. Në këtë takim, ai ishte i shoqëruar nga Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti dhe Prorektori për Financa, Investime dhe Zhvillim, Prof. Dr. Faton Shabani.

Në fokus të këtij takimi ishte bashkëpunimi ndërinstitucional dhe kontributi shumë domethënës që japin këto dy institucione në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti e njoftoi ministrin Fatmir Besimi me intensitetin e punëve që zhvillohen në Universitetin e Tetovës, sikundër e falënderoi edhe për lejimin e punësimit të dyfishtë të personelit mjekësorë të Spitalit Klinik të Tetovës në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë në institucionin tonë. “Universiteti i Tetovës është institucioni i parë i arsimit sipëror në gjuhën shqipe, me numrin më të madh të studentëve dhe për rrjedhojë edhe numrin më të lartë të të punësuarave.

Ne e çmojmë lartë angazhimin Tuaj në sigurimin e punësimeve të reja të kuadrove arsimorë dhe jo vetëm në këtë Universitet, i cili çdo vit hap programe të reja studimore të nevojshme për tregun e punës. Besoj se edhe më tej do të vijojmë me këtë frymë bashkëpunimi, që është në funksion të avancimit dhe forcimit të kapaciteteve kadrovike në Universitetin tonë”, theksoi Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Ndërkaq, ministri i Financave, Fatmir Besimi shprehu konsideratën e tij për veprimtarinë arsimore- shkencore që ndër vite realizohet në UT dhe siguroi se edhe në të ardhmen bashkë me drejtuesit e Universitetit do të angazhohet në fuqizimin e këtij institucioni, i cili ka një rol jetik në proceset e përgjithshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut.