Universiteti i Tetovës, me hidhërim të thellë e mori lajmin për ndarjen nga jeta të studiuesit të njohur Moikom Zeqos, intelektualit të respektuar në mbarë hapësirën shqiptare.
Moikom Zeqo ishte njëri nga poetët, publicistët dhe studiuesit më të njohur të kohës sonë, një intelektual i rrallë dhe figurë me diapazon të gjerë.
Vlerat e tij qëndrojnë në shumë rrafshe, por duhet theksuar kontributin e çmuar për letrat shqipe, e sidomos për trashëgiminë e kulturës shqiptare.
Vite me radhë, me përkushtim e vetëmohim, punoi për ngritjen e përgjithshme kulturore të vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar.
Me veprimtarinë e shumanshme, Moikom Zeqo, kontribuoi fuqishëm për të ngritur gjithnjë e më lart piramidën e përbashkët kombëtare.
Në këto momente të rënda, të dhimbjes, në emrin tim dhe në emër të Universitetit të Tetovës, u shprehim ngushëllime të sinqerta familjes së nderuar Zeqo, institucioneve arsimore – shkencore dhe kulturore të Republikës së Shqipërisë, kolegëve, dashamirëve dhe miqve të Tij.
U prehtë në paqe!
Prof. Dr. Vullnet Ameti
Rektor i Universitetit të Tetovës