Rekord tragjik vdekjesh në SHBA, Trump sulmon ashpër OBSH-në

Shtetet e Bashkuara shënuan numrin më të lartë të viktimave në një ditë të vetme, ndërsa mbi 1800 vetë humbën jetën në 24 orët e fundit. Bilanci i ri tragjik, e çon totalin e viktimave në vend në gati 13 mijë, sipas të dhënave të Universitetit “John Hopkins”.

Shtetet e Bashkuara numërojnë gati 400 mijë raste të konfirmuara, më shumë së në çdo vend tjetër të botës. Ndërkaq, personat e infektuar në të gjithë botën i kanë tejkaluar 1,4 milionë. Pavarësisht të dhënave gjithnjë e më alarmante, presidenti amerikan Donald Trump, tha të martën se Shtetet e Bashkuara mund të jenë duke arritur pikun e pandemisë dhe se numri i vdekjeve mund të mos jetë aq i lartë sa ishte projektuar.

Task-forca e presidentit ka parashikuar se deri në 240 mijë vetë mund të vdesin nga pandemia. Të dhënat sugjerojnë se komuniteti afro-amerikan do të jetë më i prekuri, ndërsa vdekshmëria raportohet të jetë e lartë mes personave me ngjyrë. “Po përballemi me një problem shumë të madh, pasi të dhënat sugjerojnë se komuniteti afro-amerikan është ai që po goditet më rëndë. Është një sfidë shumë e madhe”, tha Trump.

Në konferencën për shtyp, kreu i Shtëpisë së Bardhë sulmoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë, pasi siç tha, i kishte këshilluar gabim dhe kishte qenë më shumë e fokusuar te Kina. “OBSH gaboi rëndë. Fondet më të mëdha i merr nga SHBA, e megjithatë është e orientuar nga Kina”, ishin fjalët e Trump. Ai kërcënoi se do të ndalte financimet e destinuara për organizatën.

Nju Jorku vazhdon të jetë shteti më i prekur në SHBA me 731 vdekje të raportuara të martën. Ai pritet të tejkalojë shpejt Italinë me numrin e rasteve të konfirmuara. Guvernatori Andrew Cuomo paralajmëroi se po i afroheshin pikut dhe se spitalet e njësitë e kujdesit intensive ishin në gjunjë.