Zgjedhjet u mbajtën më 15 korrik që atëherë kanë kaluar një muaj por reklamat e partive politike të ngjitura nëpër rrugë të qyteteve dhe fshatrave vazhdojnë të jenë prezent edhe pse afati 30 ditor i paraparë me ligj për heqjen e tyre tanimë ka filluar.
Kompetencat për vendosjen dhe heqjen e reklamave e kanë vetë partitë politike të cilat i vendosin.
Afati për heqjen e të njëjtave është 30 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Në të kundërtën organizatorët e fushatave zgjedhore duhet të gjobiten.
Neni 79 i Kodit për zgjedhje parasheh heqjen e reklamave të ngjitura nëpër vende publike 30 ditë pas përfundimit të mbajtjes së zgjedhjeve.
“Organizatori i kampanjës zgjedhore është i detyruar që 30 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve t’i largojë reklamat e vendosura”, thuhet në nenin 79 alineja 2 i Kodit për Zgjedhje.
Kjo reklamë në qytetin e Kërçovës është që nga viti 2017 kur u mbajtën zgjedhjet lokale.
TV 21 kontaktoi edhe disa parti politike ata thanë se shumicën i kanë larguar por ka edhe disa të cilat kanë ngelur për shkak të sezonit të pushimeve. Sipas tyre ato që kanë mbetur duhet t’i largojnë ndërmarrjet komunale higjienike.
Ligji e parasheh që nëse të njëjtat nuk largon pas afatit të caktuar 30 ditor do të pasojnë gjoba.
“Dë*nim prej 500 deri në 2000 euro në vlerë denari për shkelje do t’i shqiptohet organizatorit të kampanjës zgjedhore, nëse nuk i largon reklamat e ngjitura në afatin e paraparë në nenin 79 alineja 2 të këtij kodi” thotë neni 185 i Kodit për Zgjedhje.
Reklama të ngjitura nga zgjedhjet ka në të gjitha qytetet dhe fshatrat e vendit, por edhe në rrugët magjistrale. Zgjedhjet u mbajtën më 15 korrik të muajit të kaluar ndërsa edhe pas një muaji këto reklama vazhdojnë të qëndrojnë të ngjitura nëpër të gjitha qytetet e republikës.