Reisi Rexhepi mund të ndiqet penalisht nëse i fton besimtarët të luten në xhami, thonë nga Prokuroria

Reisi i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Sulejman Rexhepi, mund të ndiqet penalisht si thirrës për shkeljen e masave për ndalesë të lëvizjes gjatë kohës së pandemisë me virusin korona, nëse e realizon kërcënimin se nëse nuk i ndihmon Qeveria BFI-së, mund t’i ftojë qytetarët që të luten në xhami.

Përveç Rexhepit, sipas nenit 206-të, mund nga Kodi Penal mund të përndiqen edhe besimtarët të cilët do ta vizitonin xhaminë, thonë nga Prokuroria Publike, pasi që qeveria me ashpërsimin e masave ka ndaluar grupimin e më shumë se 2 personave jashtë shtëpisë.

Prokuroria për Portalb.mk thotë se e ndjek situatën me kërcënimet që vijnë prej atje.

Prokuroria gjithashtu do të veprojë edhe nëse gjatë festave të Pashkëve, do të mblidhen besimtarë nëpër kisha, pasi që ajo do të kontribuojë për shpërndarjen e virusit korona.

Mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë kohës së pandemisë është vepër penale, sipas nenit 206 nga Kodi Penal.

Në lidhje me deklaratën e reisit, në pyetjen e Portalb.mk ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se patjetër duhet që të respektohen masat dhe të gjithë të përkushtohen për të kaluar situatën e pandemisë.

Në lidhje me informatat që vijnë nga BFI, institucionet tjera, i ndjekim reagimet e qytetarëve në rrjetet sociale në lidhje me këto masa. Unë vlerësoj se kjo është një periudhë që patjetër duhet të durojmë. Këto janë masa serioze për restrikcion, por qëllimi kryesor është që të mbrohet shëndeti i qytetarëve. Unë besoj se të gjithë janë të vetëdijshëm për situatën serioze dhe çdokush duhet që nëpërmjet këndit të kapacitetit të tij profesional apo personal duhet që të përkushtohet maksimalisht që këto masa patjetër të respektohen. E di që është rëndë, vijnë edhe festa fetare, por patjetër duhet që të gjithë me respektimin e masave të investojmë në mbrojtjen e shëndetit personal dhe publik.

Ndryshe, në një emision televiziv, Rexhepi ka deklaruar se i ka dërguar kërkesë Bujar Osmanit, si koordinator i Shtabit të Krizës që të ndajë ndihma për BFI-në, por deri më tani ashtu siç tha reisi, nuk ka përgjigje.

“Ka ndihma prej jashtë. Të jetë e kujdesshme se çka bën Qeveria. Do t’i rikujtoj edhe me një kërkesë, pasi që nëse mos e dhëntë Zoti që ne ta tërheqim vendimin tonë, nuk ka fuqi që mund të luftojë me epideminë, ju garantoj. Atëherë këtu bëhet Bangladesh”, thotë Rexhepi.

Reisi thotë se deri më tani shteti nuk ka siguruar ndihmë financiare për komunitetet religjioze edhe pse siç tha ai, ata kanë qenë të goditura nga epidemia.

Portalb.mk, ka kërkuar nga BFI të deklarohen në lidhje me deklaratën e reisit, gjegjësisht të na japin detaje p#r kërkesën e tyre drejtuar Qeverisë, por të njëjtët nuk i janë përgjigjur pyetjes sonë.

Portalb.mk, ka kontaktuar me Osmanin, në lidhje me kërkesën e BFI-së, por ai shkurt na tha se “e njëjta është prezantuar përpara Qeverisë”, por nuk tregoi nëse ka ndonjë vendim në lidhje me të njëjtën.

Portalb.mk, tentoi të kontaktojë edhe ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, por i njëjti nuk ishte i kapshëm për redaksinë tonë.

Para 3 javëve, BFI mori vendim që t’i anulojë të gjitha lutjet në xhamiat e RMV-së, ndërkaq Rexhepi i ftoi besimtarët që lutjet t’i bëjnë në shtëpi. Xhamiat momentalisht janë të mbyllura dhe vetëm muezini e thirr ezanin 5 herë në ditë./Portalb