Reisi Fetahu: Besimtarët të jenë të kujdesshëm ndaj masave anti-Covid

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu ka dërguar edhe sot apel deri te besimtarët myslimanë, që gjatë muajit të Ramazanit të jenë të kujdesshëm ndaj të gjitha masave dhe rekomandimeve anti-Covid.

“Shfrytëzoj nga rasti që të uroj të gjithë besimtarët me rastin e festës së Ramazanit. Njëherit shpreh ngushëllimet tona për të gjithë familjet të cilët kanë pasur viktima gjatë kësaj kohe të vështirë. Apelojmë edhe njëherë, deri te të gjithë besimtarët që vërtetë, në këtë gjendje të vështirë që po e shkakton sëmundja, do të thotë pandemia Covid-19, të vazhdojnë të mbajnë disiplinën e deritanishme, të jenë të kujdesshëm ndaj të gjitha masave dhe rekomandimeve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në këtë mënyrë, edhe gjatë muajit të Ramazanit edhe më fuqishëm të japim kontributin tonë për të dalë nga kjo situatë”, deklaroi Fetahu.

Këtë apel, Fetahu e dha në ngjarjen ku u shënua fillimi i shpërndarjes së 4 mijë pakove ushqimore, donacion nga Vakëfi i Turqisë, por që do t’u shpërndahen familjeve në nevojë.
Shpërndarja do të realizohet nga ana Shoqatës Humanitare “Hilal”, në 13 myftinitë e Maqedonisë së Veriut.