Reisi fal xhumanë e parë pas marrjes së postit

Për shkak të orës policore të qendrave më të mëdha në vend, ushtruesi i detyrës Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, H. hfz. Shaqir ef. Fetai, xhumanë e parë pas marrjes së këtij posti e fali në qytetin e Gostivarit, gjegjësisht në Xhaminë e Sahatit.

Fillimisht para të pranishmëve Kryepari i BFI mbajti një fjalim falënderues për nëpunësit fetar të këtij qyteti, këshillat e xhamive dhe besimtarëve të cilët gjatë tërë periudhës në të cilën H. hfz. Shaqir ef. Fetai ka qenë Mufti i Muftinisë së Gostivarit, kanë treguar nivel të lartë përkushtueshmërie dhe dedikim shembullor në organizimin e jetës fetare dhe kryerjen e riteve fetare.

“Nënpunësit fetarë të kësaj Muftinie dhe këshillat e xhamive gjithmonë kanë qenë në shërbim të besimtarëve duke zbatuar mësimet e Kuranit të Madhërishëm dhe urdhrat e Allahut Fuqiplotë, prandaj i falënderoj për përkushtimin shembullor”, tha mes tjerash Reisi h. Hfz. Shaqir ef. Fetai.

Ai gjithashtu ka shtuar se: “I mbetemi të falënderuar xhematit tonë, si brenda ashtu edhe në diasporë, për gjithë mbështetjen e parezervë që e kanë dhënë deri më tani andaj ju siguroj se edhe në të ardhmen, prioritet i jonë si Institucion Fetar Islam BFI, të jemi gjithmonë afër dhe në shërbimet të besimtarëve tanë.

Pas faljes së xhumasë të cilës i priu u.d. Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, ai mbajti edhe një konferencë për shtyp, për mediumet që ishin prezent. Në paraqitjen e parë publike ai u bëri thirrje besimtarë që të jenë shumë të kujdesshëm. “Virusi korona është mjaft i rrezikshëm dhe duhet bërë kujdes maksimal për të mbrojtur të afërmit tanë. Bashkësia Fetare Islame i ka ndërmarrë të gjitha masat dhe i respekton të gjitha rekomandimet dhe protokollet për mbrojtjen e besimtarëve” tha Reisi h. Hfz. Shaqir ef. Fetai.