Rehabilitohet rruga rajonale nga Ohri deri në pikën kufitare Shën Naum me Shqipërinë


Rruga rajonale që lidh qytetin e Ohrit dhe kalimin kufitar me Republikën e Shqipërisë në “ Shën Naum” do të rehabilitohet dhe riparohet nga ana e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH). Nga kjo ndërmarrje gjatë ditës së sotme kanë njoftuar se do të rehabilitohet rrugë me gjatësi prej 24 km me ç’rast rehabilitimi i kësaj rruge do të lehtësoj qarkullimin drejt kalimit kufitar dhe njëkohësisht do të ndikojë në zhvillimin e turizmit në këtë anë.

“Aksi rrugor Ohër – Shën Naum nuk është rehabilituar me dekada edhe pse është një rrugë e rëndësishëm në aspekt të turizmit, por edhe rrugë e cila na lidh me Republikën e Shqipërisë. NPRRSH ka ndarë mjete dhe ka ndërmarrë aktivitete për riparimin dhe rehabilitimin e rrugës shtetërore R1301 në gjatësi prej 24.3 km. Kontraktor i punimeve është “Ilinden Strugë” së bashku me Institutin e rrugëve Veles, të cilët tashmë janë duke punuar dhe janë duke realizuar aktivitete ndërtimore, bëjnë pastrimin e trasesë, bëjnë riparimin dhe asfaltimin e gropave, përgatisin asfaltimin e pjesëve të caktuara të trasesë.
Vlera e investimit është 707.390.772,00 denarë, mjtete të siguruara nga buxheti i NPRSHS-së.
NDËRTOJMË PËR BREZAT E ARDHSHËM !”, njoftuan nga NP për Rrugë Shtetërore.
Ndryshe gjatë muajve të kaluar janë lëshuar në përdorim rrugët që lidhin vendin tonë me vendet fqinje, rrugë në të cilët me dekada nuk është investuar. Drejtori Ejup Rustemi gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar ka lëshuar në përdorim rrugën nga Struga deri në kalimin kufitar Qafë Thanë me Republikën e Shqipërisë, rrugën nga Manastiri deri në kalimin kufitar Mexhiltli me Republikën e Greqisë, rrugën rajonale Shkup-Bllacë, Republika e Kosovës si dhe rrugën nga Kriva Pallanka deri në kalimin kufitar Deve Bair me Republikën e Bullgarisë.