Rehabilitohet aksi rrugor nga Shkupi deri në kalimin kufitar Bllacë

Rruga rajonale që lidh Shkupin me kalimin kufitar Bllacë të Republikës së Kosovës është rehabilituar tërësisht. Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi i cili sot shënoi përfundimin e punimeve të këtij aksi rrugor theksoi se janë rehabilituar 10 km rrugë me vlerë prej 3.8 milion euro.

“Kjo rrugë është arteria kryesore që lidh Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Kosovës. Si prioritet kemi ndërtimin e akseve rrugore që lidh vendin tonë me vendet fqinje. Me infrastrukturë të mirë rrugore do të lehtësojmë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave që do të ndikojë në zhvillim ekonomik”, tha drejtori Rustemi.

Ai gjithashtu tha se gjatë vitit të kaluar janë shënuar investime kapitale prej 400 milion euro në infrastrukturën rrugore. Megjithatë, sipas tij, edhe në vitin 2024 do të vazhdohet me dinamikën e njëjtë për ndërtimin e rrugëve të sigurta, moderne dhe stabile. Drejtori Rustemi u shpreh se së shpejti do të përfundojnë dhe dy kilometrat e para të autostradës Shkup – Bllacë, ndërsa gjatë këtij viti do të fillohet edhe me ndërtimin e fazës së dytë, respektivisht 10 km të mbetura të autostradës.