Regjistrohet numër rekord i rasteve të reja me koronavirus në një ditë në Gjevgjeli

Sipas raportit të Institutit të shëndetit publik, Komuna e Gjevgjelisë me tetë rastet e reja të konfirmuara të personave me koronavirus, e rrëzoi rekordin ditor të të infektuarve me Kovid-19, konfirmuan nga Njësia rajonale e Qendrës për shëndet publik në Gjevgjeli, nga ku thonë se prej fillimit të pandemisë e deri më sot, ky është numri më i madh i rasteve në juglindje të vendit.

“Kjo i referohet, para së gjithash, jo disiplinës së bashkëqytetarëve tanë edhe përkundër paralajmërimeve dhe thirrjeve tona të përditshme, nuk i respektojnë rekomandimet për zbatim konsekuent të masave mbrojtëse, para së gjithash, mbajtjes së maskave, mbajtjes së distancës sociale dhe larjes dhe dezinfektimit të duarve”, tha epidemiologu Sasho Ollumçev, i cili sot bëri thirrje që maskat mbrojtëse të mbahen madje edhe në ambiente të hapura për shkak të rrezikut nga përhapja e virusit edhe përmes ajrit.

Konstatimi i mjekut për sjellje jodispilinuese të qytetarëve nga Komuna e Gjevgjelisë lidhur me zbatimin e masave mbrojtëse dhe respektimin e protokolleve për mbrojtje nga përhapja e koronavirusit e konfirmon edhe informata nga Stacioni policor me kompetenca të përgjithshme nga Gjevgjelia, sipas të cilit për periudhë prej katër muajve në territorin e komunës janë shqiptuar 1.512 dënime për mosmbajtje të maskave mbrojtëse.