Regjistrimin e foshnjave në Shkup sërish duhet ta bëjnë prindërit, spitalet nuk e japin më këtë shërbim

Administratë, certifikata e lindjes
Mungesa e digjitalizimit të shërbimeve dhe mungesa e efikasitetit të administratës vështirëson pa nevojë jetën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, duke e pasur parasysh se vrapojnë prej një dere në një derë tjetër për të arritur deri te dokumentet, të cilat në një botë të digjitalizuar do të duhej të kryenin punë pas disa klikimeve në internet. Mediat kanë ndjekur nga afër procedurat që duhet t’i ndjek një prind të cilit i ka lindur një foshnje. Çfarë duhet të bëjë, për ta regjistruar dhe çfarë dokumente duhen për t’i gëzuar të drejtat ligjore.

Prindërit vetë duhet që ta regjistrojnë foshnjën e porsalindur, në vend se atë ta bëjnë punonjësit e klinikave gjinekologjike të Shkupit, ashtu siç ishte parashikuar me projektin “Mirë se erdhe bebe”, i cili u promovua në vitin 2017-të nga ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Arben Taravari dhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Qëllimi i projektit ishte që prindërit e foshnjave të porsalindura të mos presin nëpër sportele, por certifikatën e lindjes ta marrin në afat prej 48-orëve derisa nëna qëndron në maternitet. Megjithatë, kjo është ndërprerë tërësisht me fillimin e pandemisë, gjegjësisht prej mesit të vitit 2020.

Nga Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë thonë se ndërprerja ka ndodhur pasi që përfaqësuesit e spitaleve gjinekologjike nuk kanë pasur interes për t’i paraqitur foshnjat.
“Në spitalet gjinekologjike deri më tani paraqitja e foshnjave është kryer nga ana e infermiereve të cilat i kanë plotësuar paraqitjet për lindje dhe paraqitjet tjera të cilat të cilat dorëzohen dhe dokumentet tjera të domosdoshme nga ana e prindërve, a më pas nëpërmjet korrierit të njëjtat janë dorëzuar deri te Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë. Asnjëherë të punësuarit tanë nuk kanë pasur shërbim në spitale. Këtë çështje, ju udhëzojmë që ta dërgoni deri te maternitetet duke e pasur parasysh se prej atje është zvogëluar interesi që të bëhet paraqitja e foshnjave në institucionet shëndetësore” , thonë për Portalb.mk nga Drejtoria.

U diskutua me përfaqësuesit e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Akusherisë “Nënë Tereza” – Çair, të cilët thonë se prej se ka filluar pandemia e KOVID-19 nuk i kanë paraqitur foshnjat, ndërkaq tregojnë se paraprakisht kanë pasur probleme për shkak se zyrat e rajonale për menaxhim me librat amë, e kanë vonuar dhënien e certifikatave.
“Para se të fillojë pandemia e virusit korona ka punuar, por tani nuk punon më. Edhe më herët s’ka qenë funksional, kishim probleme – jo 48 orë, po nga dy javë prisnim për certifikata, vinin ankoheshin qytetarët mendonin se te ne është problemi, por në fakt ne e kishim për detyrë vetëm që t’i dorëzojmë të dhënat në shërbimet për menaxhim me librat amë”, kështu thonë nga Klinika e Gjinekologjisë dhe Akusherisë “Nënë Tereza” – Çair.

U dërguan pyetje edhe deri te Ministria e Shëndetësisë për t’i pyetur se pse nuk funksionon ky shërbim, i cili është bërë në kuadër të projektit “Termini im”, por të njëjtët, na thanë që spitalet nuk japin certifikata.
“Ordinancat gjinekologjike, e asnjë institucion tjetër nuk kanë autorizim ligjor që të japin dokument të tillë. Regjistrimi i foshnjave është në kompetencë të Drejtorisë për Menaxhim me Librat Amë dhe vetëm ky institucion ka kompetenca për regjistrimin e ditës së lindjes, në zonën ku ka lindur fëmija”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Megjithatë, projekti nuk parashihte që ordinancat gjinekologjike t’i japin certifikatat, pasi që Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë ka një kompetencë të tillë, por se ordinancat kishin për obligim ta kryenin vetëm dorëzimin e dokumenteve, ndërkaq certifikatën prindërit duhej ta merrnin në afat prej 48 orëve.