Regjistrimi i popullsisë nga 1 deri më 21 prill, kriter edhe përkatësia etnike

Regjistrimi i popullsisë parashikohet të mbahet nga 1 deri 21 prill 2021. Sipas propozim-ligjit i cili ndodhet në procedurë parlamentare, baza e të dhënave do të merret në konsideratë deri me azhurnimin 31 marsit. Në propozimin aktual përfshihen disa karakteristika mbi të cilat zbatohet regjistrimi si ato: gjeografike, demografike, ekonomike, arsimore, migruese, etnike etj.

Të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët posedojnë dokument i cili vërteton marrëdhënien juridike të tyre me vendin do të përfshihen në regjistrim, pa marrë parasysh nëse gjatë regjistrimit ndodhen në Maqedoninë e Veriut apo në mërgatë. Ligji parashikon regjistrimin edhe të personave të cilët kanë leje qëndrimin në vendin tonë, por edhe apatritëve të cilët gjatë regjistrimit evidentohen brenda kufijve të vendit tonë. Në regjistrim nuk përfshihen personeli diplomatik dhe shtetasit e huaj të cilët ndodhen për mision diplomatik ose jo zyrtar në vendin tonë.

Në ndihmë të Entit Shtetëror të Statistikave i cili zyrtarisht njihet si organ për zbatimin e regjistrimit të popullsisë, do të jenë Ministria e Mbrojtjes, e Drejtësisë, Ministria e Jashtme, ajo për Punë dhe Politikë Sociale dhe Agjencia e Kadastrës. Për dallim nga propozimi i kaluar, në tekstin aktual është rritur numri i rajoneve regjistruese duke përfshi në mënyrë plotësuese Haraçinën, Vrapçishtën, Mavrovën me Rostushë, Petrovecin dhe Bogdancin. Numri i rajoneve regjistruese rezulton 50.

Në pjesën e nënshkrimit të akteve që kanë të bëjnë me regjistrimin, ligji parashikon që të gjitha aktet të ndërlidhura të nënshkruara nga drejtori i ESHS-së duhet mbaj edhe nënshkrimin e zëvendësdrejtorit, në të kundërtën nuk kanë peshë juridike. Deri më 1 mars duhet publikua metodologjia e regjistrimit, ndërsa sipas propozimit të dhënat e regjistrimit do të shërbejnë për politika zhvillimore, planifikime makroekonomike, hulumtime shkencore dhe qëllime tjera statistikore.