Procesi i regjistrimit të popullsisë, amvisërisë dhe banesave në Maqedoninë e Veriut, është duke iu afruar fundit. Enti Shtetëror për Statistika informon se regjistruesit janë në terren dhe punojnë me intensitet maksimal për të mos lënë asnjë qytetar pa regjistruar. ESHS gjithashtu ju bën apel qytetarëve të kenë durim, duke theksuar se regjistruesit ende janë në terren dhe do të vizitojnë çdo shtëpi.
“Dëshirojmë t’i rikujtojmë qytetarët se duhet t’i kontrollojnë legjitimimet e regjistruesve dhe t’i pranojnë vetëm ata të cilët kanë legjitimim nga Enti Shtetëror i Statistikave. Gjithashtu, dëshirojmë të theksojmë se të dhënat nga regjistrimi janë vetëm për qëllime të statistikave dhe do të publikohen si të përgjithshme, në asnjë mënyrë si të dhëna personale. Askush nuk ka qasje në të dhënat personale, ndërsa i gjithë procesi i përpunimit do të jetë i automatizuar dhe pa subjektivizëm”, thonë nga ESHS. Gjithashtu, ata kërkojnë nga qytetarët që të mos bien pre e provokimeve dhe presioneve, si dhe t’i japin të dhënat e tyre pa asnjë frikë për keqpërdorim.