Ligji për regjistrimin në fuqi obligon fillimin e procesit që nesër kurse akoma nuk është caktuar seancë plenare për fillimin e procedurës për shtyrjen e tij. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi deklaroi se kjo ngatërresë është pasojë e mungesës së tij në takimin e liderëve. Sipas kryeparlamentarit, procedura për shfuqizimin e ligjit sipas Rregullores mund të zgjasë edhe disa ditë.
As unë si kryetar Kuvendi dhe as si institucion Parlament nuk mund të udhëhiqem nga vendimet politike që i sjellin qoftë brenda dhe qoftë jashtë. Sepse puna e Parlamentit bazohet në afatet që i parasheh Rregullorja”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Ndërkohë në Kuvend ka vazhduar koordinimi i kryeparlamentarit dhe grupeve parlamentare në të cilën ai tha se do të përcaktohen dinamika e zhbllokimit të Kuvendit, përfshirë këtu edhe ligjet e tjera që kanë ngecur në procedurë prej kohësh.
Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se procedurat e Kuvendit janë kompetencë ekskluzive e kryeparlamentarit. Sipas tij, edhe pse nesër ligjërisht fillon regjistrimi, nuk ka logjikë që Enti i Statistikës të fillojë zbatimin e tij.
Është dërguar mesazh i qartë se një shumicë më e madhe, madje më e madhe se 2/3 ka qëndrim për regjistrim nga 5 deri 30 shtatori, atëherë nuk ka arsyetim logjik që dikush të firmosë kosto dhe harxhime të parave publike për shkak se do të bëjë dëm edhe pse do të ishte mirë të kishte edhe mbështetje ligjore. Ka badenter dhe ka më shumë se 2/3 e votave një ligj që sillet me shumicë të thjeshtë”, pohoi Zoran Zaev, kryeministër.
Opozita shqiptare kishte paralajmëruar të pengojë shtyrjen e regjistrimit gjatë votimit me badenter, megjithatë ka vetëm 12 deputetë nga 41 deputetë të komuniteteve.
Ne do ta promovojmë badenterin për një çështje, që të vetëdijesohen deputetët shqiptarë që janë në Kuvend, se nuk guxojmë ne të lejojmë që dikush me tallje të marrë procesin e regjistrimit dhe duke kamufluar të njëjtin me sigurinë epidemike shëndetësore, të sjellë vendime politike”, tha Skender Rexhepi, koordinator i grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.
BDI-ja mbështet shtyrjen e regjistrimit dhe do të votojë për të.
Ne morëm vaksinat dhe do të fillojmë procesin e imunizimit të shoqërisë në njërën anë. Në anën tjetër, të mos u lejojmë partive opozitare maqedonase që të rrënojnë kredibilitetin e këtij procesi. Ne jemi të interesuar që të kemi proces kredibil, që ai të përmbyllet”, pohoi Arbër Ademi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.
Enti i Statistikës një ditë më parë nuk ka komentuar vendimin për shtyrjen e regjistrimit.