Regjistrimi i drejtë pasqyron një shtet të drejtë


Fatbardha Gjuraj
Shtrembërimi i realitetit nuk e ndryshon realitetin! Është pikërisht kjo thënie që e kam mësuar qysh nga fëmijëria, nga situatat që kam kaluar e kam kuptuar se e vërteta nuk dokumentohet gjithmonë siç është në realitet. Historia duhet të shkruhet ashtu siç është dhe jo ashtu siç duam ne. Për të mos u bërë njollë në histori, gjithmonë kam qenë iniciatore që gjërat të thuhen ashtu siç janë.

Duke e ditur se shteti është personifikim i rregulloreve dhe drejtësisë, ka pasur impakt në formulimin e koncepteve të mia, por çfarë ndodhë kur shteti vepron ndryshe nga rregulloret? Atëherë vepro ti, sepse ti e bën shtetin dhe je pjesë e tij! Tani, si një 20 vjeçare në shtetin e Maqedonisë, pikërisht po aq sa koha që ka kaluar nga regjistrimi i fundit i popullësisë, më duhet të reagojë duke shpresuar që të jem reflektim pozitiv për të tjerët.

Dua të jem pjesë e mundit të shqiptarëve, e mundit të mërgatës, të qytetarëve aktiv siç është edhe profesoresha jonë e nderuar. Që nga regjistrimi i popullsisë në Maqedoni, që është realizuar në vitin 2002, pastaj në vitin 2011 ku vetëm u fillua procesi por u ndërpre për shkak të manipulimeve politike, tani ka ardhur koha për një regjistrim të mirëfilltë dhe korrekt, sepse jemi lodhur nga aludimet hipotetike dhe jo të sakta.

Këto kanë lënë njolla në histori – qysh prej të dhënave statistikore të vitit 1912 ku theksohet se në Maqedoninë e Veriut jetojnë 136,752 shqiptarë, ku pastaj një të dhënë të tillë e demantoi një demograf bullgar M. Selishcef duke thënë se në Maqedoninë e Veriut ka 194,195 shqiptarë (57,443 shqiptarë më pak) e pastaj nga të dhënat e Perandorisë Turke në vitin 1912/1913, pastaj në vitet 1921, 1948, në vitin 1953 (koha e Rankoviqit, shpërngulja e shqiptarëve në Turqi), në vitin 1994 e deri në vitin 2001/2002.
Bëhet fjalë për një proces i cili ka shumë mundësi zgjidhjeje, i cili është obligativ dhe jo i komplikuar, mirëpo mungon një vendim i sigurt dhe i pa ndikuar nga manipulimet.

Nuk do të ishte e drejtë që një qytetar maqedon të regjistrohej si shqiptar, turk, rom apo si diçka tjetër si dhe anasjelltas, që një shqiptar të regjistrohej si maqedon, prandaj duam që të mbizotërojë drejtësia dhe të regjistrohet çdo qytetarë si nga mërgata, ashtu edhe vendas. Në të njëjtin kuvend ku miratohet ligji se nuk do të ketë dallime fetare, race apo kombësie, duam që të zbatohet edhe ligji për regjistrim të saktë të popullsisë në mënyrë që të mos ketë dallime kombësie, prandaj motivohuni, regjistrohuni dhe bëhuni bashkë në mënyrë që bashkimi të bëjë fuqinë! Kështu, të bëhemi një shtet shembull, i cili synon të integrohet në BE, sepse regjistrimi i drejtë pasqyron një shtet të drejtë.
(Studente në UT, opinion i shkruar në lëndën “Komunikimi dhe marrëdhënia me publikun”)