Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut filloi dje, ndërsa sot filluan të shfaqen disa probleme. Fillimisht nga Enti Shtetëror i Statistikave, si institucion përgjegjës për regjistrimin, vlerësuan se problemet ishin për shkak operatorëve të internetit, por pastaj kërkuan falje ndaj kompanisë.
“Enti Shtetëror i Statistikave kërkoi falje për njoftimin e rrejshëm se problemet u shfaqën për shkak rënies së internetit dhe publikisht i kërkon falje Sh.A. Telekom Maqedonia për deklaratën fatkeqe të dhënë për shkak mungesës së informatave të sakta”, deklarojnë nga Enti.
Drejtori Apostol Simovski, është i kënaqur me mënyrën se si filloi regjistrimi, edhe pse sot ata u përballën me probleme me internetin në nivel shtetëror. Presin që problemet të zgjidhen gjatë ditës.
“Patëm ditë jashtëzakonisht të suksesshme të parë. Janë regjistruar rreth 92.000 persona, që është një numër i madh. Nuk kemi pritur një ditë kaq intensive për sot, sepse është ditë pune. Patëm dhe ende kemi problem me rrjetin e internet. Nuk është problem me aplikacionin, por me të gjithë rrjetin e internetit në vend. “Telekomi i Maqedonisë po punon intensivisht për të eliminuar këtë defekt dhe pres se së shpejti të mos kemi problem në punën tonë”, tha Simovski gjatë vizitës së sotme në komisionin e regjistrimit në Tetovë.
Ai vuri në pah se aktualisht mungojnë rreth 500 regjistrues, por edhe se është duke u zhvilluar trajnimi për persona nga administrata, prandaj pritet që ata së shpejti të përfshihen në realizimin e regjistrimit.
Sipas Simovski, deri më tani nuk është vërejtur që ndonjë prej personave që duhet të regjistrohen të ketë kërkuar protokolle të veçanta dhe ka pasur shumë pak raste të in*cidenteve.