Prof. Dr. Izet Zeqiri
Paralajmërimet se regjistrimi i popullsisë në Maqedoni do të realizohet në vitin 2020, nga 1 e deri më 21 prill. Ku për këtë proces do të angazhohen pesë mijë regjistrues, kurse do të ketë një kombinim metodash, pra do të shfrytëzohen të dhënat në terren dhe ato në regjistër dhe nuk do të ketë numërim të popullsisë edhe sipas përkatësisë etnike, që është i pa pranueshëm.
Numri i popullsisë është kategori dinamike, çka do të thotë se në mënyrë të vazhdueshme duhet të bëhet përcjellja e popullsisë, pasi që ajo paraqet nevojë ekonomike dhe shoqërore për çdo vend të botës. Por në Maqedoni regjistrimi është edhe nevojë politike pasi që me kushtetutë dhe me ligje, të drejtat e shqiptarëve janë të lidhur me levizjet e numrave.
Atë që paralajmëron qeveria, nuk është regjistrim i popullsisë por evidentim, studim demografik. Regjistrim i popullsisë nënkupton edhe regjistrimin sipas përkatësisë etnike të popullsisë. Sot të gjitha shtetet duke u bazuar në studimet demografike i mbledhin, i analizojnë trendet dhe të dhënat statistikore për popullsinë e tyre, duke kryer regjistrime (sondazhe sistematike të planifikuara) për të njohur dinamikën e ndryshimit të popullsisë. Shumica e studimeve demografike prirjen e kanë të jenë statistikore duke regjistruar dhe analizuar të dhënat e popullsisë. Në këtë drejtim edhe studimet demografike në Maqedoni janë të orientuara kah analiza e popullsisë.
Maqedonisë i duhet regjistrim i popullsisë, i cili do të sigurojë një tabllo të saktë të shtimit të popullsisë në Maqedoni edhe sipas përkatësisë etnike. Në shumicën e vendeve në çdo dhjetë vjet bëhet regjistrimi i popullsisë, ndërsa studime pilot bëhen edhe më shpesh.
Shikuar historikisht, regjistrimet e realizuara deri tash në Maqedoni janë bërë në vitin: 1953, 1961,1971, 1981, 1991 (dhe 1994 mos pranimi i rezultateve) dhe regjistrimi i fundit i realizuar në vitin 2002 pas tri prolongimeve, prolongimi i parë ishte prej 1 Prillit të vitit 2001, i dyti prolongim ishte në vjeshtën e 2001 dhe i treti u caktua prej 1 Prilli të vitit 2002. Të gjitha këto prolongime janë bërë për arsye më të njohura për të gjithë për shkak të situatës pas luftës që ka mbretëruar në Maqedoni dhe mos besimit të shqiptarëve lidhur me definimin real të strukturës nacionale të popullsisë. Edhe regjistrim i 2011 dështoi duke u bazuar në problemet me të cilat hasen në këtë proces.
Është i domosdoshëm regjistrimi i popullsisë se statistikat demografike nuk kanë qenë tërësisht të përpikta deri tash.
Shqiptarët nuk u kanë besuar të gjitha regjistrimeve të popullsisë. Ato nuk u kanë besuar statistikave shtetërore lidhur me numrin e popullsisë shqiptare si në ish-Jugosllavi poashtu, edhe në Maqedoni. Arsyet për këtë mosbesim qëndrojnë në mostransparencën dhe në mossigurimin e kushteve minimale teknike-organizative, juridike dhe politike për regjistrim nga ana shtetit. Shqiptarët nuk kanë pranuar të dalin në regjistrim ose pjesërisht e kanë refuzuar regjistrimin, sepse janë frikësuar nga manipulimet e ndryshme lidhur me numrin e popullsisë. Ata kanë pasur dyshime në përdorimin e koncepteve statistikore bazë nga demografët në ndjekjen e ecurisë së popullsisë, siç janë koeficienti i përgjithshëm i lindshmërisë, pjellorisë, koeficienti i përgjithshëm i vdekshmërisë etj, të cilat e determinojnë rezultatin e përgjithshëm të popullsisë në Maqedoni.
Në vazhdën e këtyre dyshimeve bën pjesë regjistrimi i vitit 1991, i cili u bojkotua nga shqiptarët, pastaj regjistrimi i vitit 1994 si një proces human dhe i rëndësishëm, i cili u realizua me qëllim që të korrigjojë regjistrimin e vitit 1991 në mbikëqyrje të Këshillit të Evropës ku nuk dha një pasqyrë të plotë të popullsisë në Maqedoni. Në bazë të të dhënave statistikore të vitit 1994 Maqedonia ka pasur 1 945 932 banorë, mirëpo vlerësimet e Entit Shtetëror të Statistikës më 31.12.2000 kanë qenë se në atë kohë në Maqedonia ka pasur 2 031 112 banor. Këto devijime në numrin e popullsisë janë si rezultat i asaj se regjistrimi i popullsisë në vitin 1994 nuk ka qenë i tërësishëm, ai ka qenë i vlerësuar edhe si jo i plotë për arsye të bojkotit të një pjese të madhe të popullsisë shqiptare. Regjistrimi i vitit 2002 ka qen më i pranuar ku numri i popullësisë në Maqedoni ka qenë 2.022.547, analizuar në strukturë nacionale: maqedon ka pasur 1.297.981 gjegjësisht 64,18%; shqiptarë 509.083 në përqindje 25,17%; turq 77.959 ose 3,85%; rom 53.879 ose 2,66%, vleh 9.695 ose 0,48%, serb 35.939 ose 1,78%, boshnjak 17.018 ose 0,84% dhe të tjerë 1.04%.
Shqiptarët, duke e ditur rëndësinë e strukturës nacionale të popullsisë në Maqedoni në zhvillimin ekonomik-shoqëror dhe politik, në mënyrë të vazhdueshme duhet kërkuar një transparencë më të madhe në regjistrimin e popullsisë që të fitohet numri real i shqiptarëve në Maqedoni. Çështja e regjistrimit të popullsisë nuk guxon të sakrifikohet dhe të justifikohet pas formulës së “drejtësisë ndërkombëtare” se ai do të vëzhgohet nga Këshilli i Evropës dhe EUROSTAT-i , por ai duhet të ndiqet institucionalisht nga ekspertë shqiptarë të vendit, me qëllim që të mos ngadhënjejë sërish ai fat i “verbër” dhe i “padrejtë” historik lidhur me numrin e shqiptarëve në Maqedoni. Sepse me gjithë metodat rigoroze të mbledhjes së të dhënave, përvojat tregojnë se statistikat demografike nuk janë tërësisht të përpikta, pasi shumë njerëz nuk janë të regjistruar në statistika zyrtare të popullsisë, shumë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni nuk kanë as të dhëna për veten e tyre. Në bazë të ligjit të ri nuk do të kenë mundësi të regjistrohen punëtorët që punojnë në botën e jashtme e që janë me qëndrim më shumë se një vit jashtë, e kështu me radhë.
Ndryshimet e ligjit mbi regjistrimin e popullsisë dhe problemet reth procedurave statistikore ekzistuese jotransparente deri në fund në regjistrimin e popullsisë paraqesin një dyshim për regjistrimin që do të realizohet. Jorastësisht te shqiptarët mbizotëron mendimi se për të besuar saktë në statistikat demografike, duhet t’ia fillojmë nga dyshimi se mund të bëhen manipulime. Për këtë arsye duhet të ndëgjohen sugjerimet e ekspertëve shqipëtarë, qoftë demografë e qoftë njerëz, të cilët i njohin mirë çështjet statistikore dhe konceptet bazë të demografisë si në komisionin shtetëror të regjistrimit të popullsisë ashtu edhe jashtë tij.
Shiko tabelën.