Regjisori Gent Çajani me letër të hapur deri te Ministria e Kulturës: Edhe ne meritojmë të qëndrojmë këtu, që të mos e lëmë vendin, duke bredhur rrugëve të Evropës


Unë si artist i pavarur dhe i diplomuar prej kohësh, nuk arrij dot të mbështetem nga shteti im, sepse edhe unë po ashtu si ju, kam nevojë për një vend pune dhe këtë e meritoj. Kam dhënë shumë deri tani dhe besoj se e kam dëshmuar veten dhe e di se vlej. Jam student i gjeneratës së parë në degën e Regjisë së Teatrit në Universitetin e Tetovës.

Për mua dhe kolegët e mi, nuk ka marrë askush hapin për të hapur një konkurs punësimi. Ne meritojmë të qëndrojmë këtu, që të mos e lëmë vendin, duke bredhur rrugëve të Evropës, dhe nuk duam që ëndrrat tona të shuhen bashkë me ne. Nuk mundemi që të mbështetemi vetëm tek honorarët vjetore me projekte private, sepse edhe ne kemi një jetë dhe duam të na krijohet një hapësirë më e lehtë pune.

Unë dua të punoj këtu në vendin tim dhe të jap kontributin këtij shteti për një të ardhme më të mirë, për mua dhe gjeneratat që vijnë pas. Mos na lini të dëshpëruar dhe të humbur duke e kërkuar fatin e jetës diku larg, kur atë e kemi në prag të derës. Mos harroni se Artisti është pasuri Nacionale.