Akoma nuk është e sigurt nëse reformat në arsimin fillor do të nisin zbatimin e tyre bashkë me fillimin e vitit të ri shkollor 2018-19. Ministri i Arsimit, Arbër Ademi tha për Alsat se ka nisur konsultimet me të gjitha palët e përfshira në reforma për të parë nëse ndryshimet e paralajmëruara janë të përshtatshme për nxënësit dhe punonjësit në arsim. Ademi, madje nuk është i sigurt nëse nga shtatori do të nis edhe zbatimi i pilot projektit me plan programet e reja mësimore për klasat e dyta dhe treta.
Jemi duke shqyrtuar mundësitë për të filluar apo mos të filluar me pilotim, me reformat në arsimin fillor. Megjithatë, ditët në vijim për çfarëdo vendimi tonë do të njoftoheni me kohë. Nëqoftëse do të shkojmë me pilotim sigurisht se do të ketë thirrje për të gjitha shkollat e interesuara për të aplikuar që të jenë pjesë e zhvillimit të atyre reformave në kuadër të shkollave të tyre dhe mbarë opinioni do të njoftohet me kohe me të gjitha hapat e më pastajshme – tha Arër Ademi, ministër i Arsimt.
Ndërkohë, shumë nga udhëheqësit e shkollave fillore akoma nuk kanë njohuri se cilat shkolla do të përfshihen me pilot projektin për klasat e dyta dhe të treta. Nga shkolla “Imri Elezi” thonë se është tepër vonë për organizimin e programit dhe fëmijëve që do të përfshihen në këtë pilot projekt.
Asgjë nuk kemi zyrtarisht saqë ne për momentin jemi me të vërtet në një gjendje shumë të rëndë, të vështirë shkaku se ne duhet të planifikojmë tash ndarjen e orëve arsimtarëve…Shumë gjëra do të jenë rëndë për ne të përshtatemi, duke filluar, edhe këtë duhet ta kemi parasysh se ndoshta jo çdo prind do që fëmija i vet të jetë pilot projekt. Edhe këtë nuk e di, sa edhe si e kanë planifikuar, si e kanë bë këtë, ajo shkolla komplet nëse është pilot projekt dakord por nëse merren pjesë me siguri do të hasim edhe në ato problemet që i cekët, hapësinor – u shpreh Merita Koxhaxhiku, sh.f “Imri Elezi”.
Propozim ligji për arsimin fillor i përgatitur nga ish ministrja e Arsimit, Renata Deskovska parasheh ndryshime të shumta, mes tyre: të shtunave mos të mësohet, maksimum 20 orë në javë do të kenë nxënësit e klasës së parë deri në të tretën, 25 orë ata të klasës së katërt deri në të gjashtën dhe 30 orë në javë nxënësit e klasës së shtatë deri në të nëntën. Gjithashtu, propozim ligji parasheh edhe shkurtimin e numrit të nxënësve në klasa, minimum 20 nxënës do të formojnë një klasë, ndërsa numri i tyre do të mund të shkoj deri në 30, ndërkohë që një paralele e kombinuar mund të ketë më së shumti 10 nxënës.
Melihate Rustemi